Operacioni Forca e Ligjit, u ka kërkuar sot tre personave të dënuar që të plotësojnë formularin e deklarimit të pasurisë brenda një afati prej 48 orë. Mes tyre është dhe Arben Frroku, vëllai i ish-deputetit Mark Frroku, i cili është dënuar për vrasjen e Kryekomisarit, Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur në vitin 2013.
“Në kuadër të Aktit Normativ nr. 1, datë 31.01.2020, OFL u ka dërguar kërkesat për vetë deklarim të pasurisë, shtetasve: Jasin Kala, banues në Shijak, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”; Arben Frroku, banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe Armëmbajtja pa leje” dhe Durim Keçi, banues në Shijak, i dënuar në Itali për veprat penale “Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Krime me armë kundër personit”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike dhe shfrytëzimin e prostitucionit”, thuhet në komunikatën e OFL-së.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së, të cilat do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. Deri tani, OFL ka bllokuar rreth 20 milionë euro pasuri dhe disa nga rastet që i kanë kaluar SPAK, janë dërguar dhe për vendim përfundimtar në gjykatë.
Arben Frroku, fillimisht u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda në prill 2015 dhe pas lirimit nga burgu u arratis nga Shqipëria. Ndërkohë pas dërgimit të çështjes në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, Frroku u dënua me burgim për përjetshëm. Pas shpalljes në kërkim, Frroku u arrestua në Holandë në prill 2016. Por pavarësisht kërkesën për ekstradim, Gjykata e Hagës ka konvertuar dënimin e dhënë në Shqipëri me 18 vite burg, dënim që do të kryhet në Holandë.