Agjencia e OKB-së, Organizata Ndërkombëtare e Punësimit, thotë se pandemia e COVID-19 u ka krijuar probleme me punën rreth 1 miliard njerëzve në të gjithë botën.
“Në vitin 2008-2009 humbëm 22 milionë vende pune në të gjithë botën. Parashikimi për tre muajt e ardhshëm, për tremujorin e dytë të vitit, është se mund të vihen në rrezik 195 milionë vende pune”, tha për Euronews drejtori i organizatës, Guy Ryder.
“Është një katastrofë e vërtetë. Në një botë ku katër të pestat e punëtorëve jetojnë në vende që kanë vënë në zbatim kufizime, nuk duhet të jetë habi që po futemi në këtë pikë”, tha ai.
Ndalimet e udhëtimeve dhe mbyllja e bizneseve për shkak të kufizimeve ka vënë tani nën presion rreth 2.7 miliardë punonjës në të gjithë botën, ose 81% të fuqisë punëtore të planetit.
Mes tyre, 1.25 miliardë, rreth 38% e fuqisë punëtore, janë më të cenueshëm se të tjerët, pasi punojnë në hotele, restorante, dyqane pakice dhe fabrika prodhimi, sektorë që kanë pasur rënie të madhe prodhimi.
Europa dhe dy kontinentet amerikane kanë përqindjen më të lartë të sektorëve të rrezikuar nga kriza, por në të njëjtën kohë kanë dhe mbrojtje civile më të qëndrueshme.
Mendohet se në të gjithë botën, punëtorët e padeklaruar janë rreth 2 miliardë, kryesisht në vendet në zhvillim, dhe ata janë kategoria më e rrezikuar se çdo tjetër.
Ryder u bën thirrje vendeve që të marrin masa për të mbështetur kompanitë e për të shpëtuar vendet e punës.
Disa qeveri kanë shpallur që tani masa financiare për të mbështetur kompanitë me fonde, në mënyrë që t’i mbajnë punëtorët në punë pavarësisht krizës.
Franca dhe Gjermania kanë nxitur skema në të cilën kompanitë ulin orët e punës së stafit, në vend që të bëjnë pushime nga puna. Dhe qeveritë janë ato që i kompensojnë punëtorët për pjesën e mbetur të rrogës.
Komisioni europian ka premtuar të mbështesë nisma të tilla, duke hequr rregullat për kreditë e duke premtuar të ofrojë menjëherë 100 miliardë euro për t’u ardhur në ndihmë punëtorëve të bllokut.
Por BE nuk ka arritur të gjejë gjuhën e përbashkët për të ashtuquajturat “coronabonds”, bono thesari për coronavirusin, të cilat do të lejonin një hua të përbashkët, barrën e të cilëve do ta ndanin gjithë shtetet e BE-së, dhe që të përdorej për daljen nga kriza.