Të enjten është dita ndërkombëtare e Tolerancës Zero për Gjymtimin Gjenital Femëror e OKB-së. Kjo praktikë, e cila është e ndaluar sipas rregullave të BE-së, është një formë abuzimi dhe shkel të drejtat e njeriut.
Organizata e Kombeve të Bashkuara e përkufizon Gjymtimin gjenital femëror si një praktikë në të cilën hiqet një pjesë ose gjithë pjesa e jashtme e organit gjenital femëror, e cila nuk kryhet për arsye mjekësore apo për ndonjë lloj tjetër përfitimi shëndetësor.
Praktita është më tepër e përqendruar në rajonet perëndimore, lindore dhe verilindore të Afrikës, si dhe në disa vende të Lindjes së Mesme dhe Azisë. Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron këtë praktikë si një shqetësim global.
[twitter_feed=https://twitter.com/WHO/status/1225435183052214277]
Në mbarë botën, më shumë se dyqind milion gra dhe vajza të reja janë të prekura nga ky fenomen. Kjo është përhapur edhe në Europë, me shumicën e rasteve që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania dhe Franca.
Vetëm muajin e shkuar, një çift u dërgua pas hekurave në Dublin pasi gjymtuan vajzën e tyre 21-muajshe, duke shënuar rastin e parë në Irlandë.
[twitter_feed=https://twitter.com/UN_Women/status/1224295232545660930]
Arsyet se përse ndodh kjo praktikë dallojnë nga rajoni në rajon, por ato përfshijnë një sërë faktorësh shoqëror dhe kulturor brenda familjeve dhe komuniteteve. Sipas tyre, kjo është një normë sociale e cila rrit probabilitetin që vajza apo gruaja të martohet.
Sipas disa studimeve kjo praktikë mbart edhe kosto ekonomike. Sipas një studimi të OBSH-së, trajtimi i komplikacioneve shëndetësore të gjymtimit gjenital femëror kapte shifrën 1.4 miliard euro në 2018. Kjo shifër pritet të rritet deri në 2047 nëse kjo praktikë vazhdon të kryhet.
Komisioni Europian ka thënë se është i angazhuar për ta eliminuar Gjymtimin Gjenital Femëror.