English

Oliver Varhelyi në Ilva Now: Shqipëria ka vullnet për të çuar para reformat, mesazhi që do t’u jap shteteve anëtare

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Ilva Tare: Komisoner, faleminderit shumë që keni rënë dakord të bëni këtë interviste me Euronews Albania. Procesi i zgjerimit u godit në fakt në Samitin e tetorit, me refuzimin për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Cilët janë hapat që po merr komisioni i ri për të parandaluar skenarë të tillë në samitin e majit?

- Advertisement -

Komisioneri Oliver Varhelyi: Ky komision është komision gjeopolitik dhe gjeopolitika fillon në rajon. Pra, ne na duhet që të krijojmë besim ndërmjet rajonit dhe shteteve anëtare pas samitit të tetorit dhe po punojmë me mënyra të reja për të krijuar këtë besim dhe po vijmë po ashtu me një paketë të re duke filluar këtë muaj.

Ilva Tare: Si po shkon kjo punë? Pra, ju keni pasur takime me zyrtarë francezë, me autoritet holandeze. A ka ndryshuar, për shembull, qëndrimi i tyre, e zëmë nga presidenti Macron ose shtetet anëtare që kanë shqetësime për Shqipërinë?

Komisioneri Oliver Varhelyi : Ajo që duhet të kuptojmë që nga tetori është që ne duhet t’i dëgjojmë të gjithë që janë në tryezë. Jo vetëm mendimet e shteteve anëtare, por edhe vendet të rajonit dhe unë kam biseduar me ato shtete anëtare që në tetor. Kanë shprehur shqetësimet e tyre dhe jam përpjekur që t’i trajtoj këto shqetësime së bashku me vendet përkatëse dhe prandaj unë po bisedoj me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë dhe kam një ndjesi pozitive për të gjitha këto kontakte. Vizita ime e djeshme në Maqedoninë e Veriut, vizita e sotme në Shqipëri, por edhe vizitat e mia të mëparshme në Paris dhe kontaktet e mia me autoritetet holandeze.

Ilva Tare: Dhe këto ndjesi pozitive që ju keni mund të jenë si rrjedhojë e një çelje të mundshme të negociatave në mars?

Komisioneri Oliver Varhelyi : Mund të jetë shumë herët për të thënë këtë gjë, por ne besojmë se po përpilojmë një plan, një plan që do të bazohet në tri shtylla me modalitete të reja për sa u përket negociatave të zgjerimit dhe një plan për të çelur negociata me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë përpara samitit të Zagrebit, që do të jetë në maj. Dhe po ashtu për t’u përpjekur për të krijuar një paketë të re të zhvillimit ekonomik për të gjithë rajonin, dhe kjo do të dorëzohet dhe do të jepet në samitin e Zagrebit.

Ilva Tare: Sot gjatë deklaratës që keni bërë gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin keni thënë që do të keni një propozim të ri deri në fund të janarit për këtë metodologji të re dhe qasje. A do të jetë ky një dokument që do të krijojë pra përgjegjësi jo vetëm për vendet që kërkojnë të bëhen vende anëtare, po edhe vendet anëtare të BE?

Komisioneri Oliver Varhelyi : Ne po punojmë në bazë të 4 parimeve dhe kjo është arsyeja se pse unë kam besim, sepse edhe deri më tani të gjitha takimet që kam bërë si me vendet aderuese dhe me shtete anëtare më kanë konfirmuar që këto katër parime mund të jenë elementët për të arritur diçka dhe për të ecur përpara.

Së pari, procesi i zgjerimit duhet të bëhet më i besueshëm, kjo do të thotë që në rast se ne biem dakord për diçka, duhet të tregojmë rezultate për këtë gjë. Dhe në rast se biem dakord që negociatat për zgjerimin të fillojnë, atëherë do të duhet t’i fillojmë ato. Në rast se biem dakord se duhet të kryhen reforma, atëherë këto reforma duhet të kryhen. Pra, funksionon nga të dyja anët dhe për të dyja palët. Ne po ashtu shikojmë edhe nevojën për të përmirësuar edhe drejtimin politik të të gjithë procesit. Deri më tani kjo ka qenë një punë teknike për shtetet anëtare dhe shtetet anëtare nuk kanë ndjerë pronësi ose disa shtete anëtare, dhe duhet të përforcoj këtë gjë, por dua të krijoj edhe një mundësi për vende aderuese që të jenë më të pranishme edhe në aspektin institucional në këtë punë të përbashkët që bëhet prej nesh. Ndërsa parimi i tretë ka të bëjë më parashikueshmërinë, kjo do të thotë që pasi të fillojnë të japin rezultate nga shtete që do të kërkojnë anëtarësim, atëherë këtë gjë do ta bënë edhe shtetet anëtare. Dhe në rast se shtetet që kërkojë anëtarësim në BE bëjnë hapa pas, edhe ne do bëjmë hapa pas.

Së fundi duhet që procesi të bëhet më dinamik, pra në rast se do të tregohen dhe jepen rezultate, edhe ne do të duhet ta përshpejtojmë të gjithë procesin. Deri më tani, siç e kam thënë, unë shoh pra që shtetet anëtare kanë vullnet për të punuar për këtë gjë. Megjithatë, na duhet të vazhdojmë punën.

Ilva Tare: E shoh që po tregoheni i kujdesshëm dhe jo tejet  optimist për të thënë “po, do të çelen negociatat”. Më lejoni t’ju pyes, Komisioni a do të rekomandojë sërish çeljen e negociatave dhe a besoni ju që Komisioni Evropian ndoshta u lëndua nga fakti  vazhdojnë japin të njëjtën rekomandim, i cili refuzohet?

Komisioneri Oliver Varhelyi: Për pyetjen e parë, nuk na duhet ta japim këtë rekomandim sërish, pasi rekomandimi është në tryezë dhe ne i qëndrojmë atij rekomandimi, pasi për mendimin tonë të dyja këto shtete janë gati për të çelur negociatat me BE-në. Por duhet të angazhohemi më shumë në shtetet anëtare për t’i bindur ato, prandaj jam edhe këtu sot për të bashkëbiseduar me autoritetet shqiptare për të më ndihmuar që t’i bindim shtetet anëtare.

Për pyetjen tuaj të dytë, unë nuk e mendoj që kjo çështje është çështje emocionale, por në fakt është një sfidë, është një detyrë e cila mua më është caktuar. Është sfidë me të cilën përballet e gjithë Europa, kështu që unë dua që të tregoj rezultatet, të tregoj rezultatet, dua që kjo gjë të bëhet patjetër dhe dua të bëj të pamundurën për këtë gjë. Dhe ndoshta emocionet nuk janë gjërat më të mira që duam për të arritur atë që duam të arrijmë.

Ilva Tare: Ndoshta do të mësojmë edhe më shumë për propozimin tuaj në fund të janarit, siç e përmendët komisioner, por a do të ketë ndonjë gjë tjetër në këtë propozim? A fjala e kthyeshme do të jetë pjesë e procesit?

Komisioneri Oliver Varhelyi : Ndoshta është një fjalë, e cila nuk është përmendur shumë sepse procesi mund të kthehet mbrapsht, pasi nuk ka anëtarësim automatik pasi në fund të gjitha shtetet anëtare duhet të bien dakord që ta lejojnë një vend të hyjë në BE. Kështu që kthyeshmëria ka qenë gjithnjë e pranishme, por për disa prej nesh është bërë gjithnjë e më shumë e rëndësishme.

Ndaj ne duhet të sigurohemi patjetër, që në rast se ka mungesë ecurie, përparimi, ose bëhen hapa pas, edhe ne duhet të kemi mundësinë për ta reflektuar këtë gjë, ashtu siç duhet në negociatat para hyrjes në BE.

Ilva Tare: Ju e thatë më herët se jeni këtu që politikanët shqiptarë t’ju ndihmojnë që të bindni shtetet anëtare. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria më tepër?

Komisioneri Oliver Varhelyi : Më e rëndësishme për Shqipërinë tani është që të vazhdojë me procesin e reformave dhe të angazhohet plotësisht me shtetet anëtare për të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me reformat. Pra. jo thjeshtë që të hartohen ligjet, por edhe zbatimi i këtyre reformave, ligjeve. Po ashtu jam këtu që të advokoj për atë që quhet baza minimale e përbashkët kombëtare, për të biseduar me të gjitha partitë politike, qoftë brenda dhe jashtë kuvendit, në mënyrë që të kemi një marrëveshje të përbashkët kombëtare për të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE.

Ilva Tare: Në fakt ju sot u takuat me presidentin, kryeministrin, me kryetarin e kuvendit me anëtarët e partive opozitare jashtë parlamentit dhe çfarë keni parë në këto bisedime, disa orë më pas marrëveshjes për reformën zgjedhore?

Komisioneri Oliver Varhelyi : Së pari, e kam mirëpritur këtë arritje. Për mendimin tim është skajshmërisht e rëndësishme dhe e shoh si një sinjal apo shenjë të rëndësishme për të ardhmen dhe kam besim që në bazë të kësaj arritje ne do të mund të punojmë më tepër. Jam shumë i kënaqur që të promovojmë dhe inkurajojmë këtë mënyrë pune. Mesazhi që marr sot nga Tirana është që ka vullnet për t’u angazhuar gjithnjë e më shumë dhe për të dhënë rezultate për reformat. Dhe ky është mesazhi që do t’u jap shteteve anëtare.    

Ilva Tare: Një nga reformat më të madha që vazhdon të kryhet, dhe ju keni përmendur 220 dosje nga procesi i vetingut, nuk e dimë kur do të përfundojë, por po vazhdon procesi. Ka edhe disa rezultate të dukshme. Cili është vlerësimi juaj për performancën e reformës në drejtësi?

Komisioneri Oliver Varhelyi : Në fakt është një test shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe është e rëndësishme që jo vetëm të vazhdohet, por edhe të përfundohet i gjithë procesi i vetingut apo për rivlerësimet e gjyqtarëve  dhe prokurorëve.  Këtë do të shikojë dhe do ta ndjekin nga afër shtetet anëtare dhe është shumë e rëndësishme që vetëm të pranojmë të njëjtat rezultate, por edhe t’i vëmë në zbatim si në shtetet anëtare.

Ilva Tare: Kur përmendet më herët ndihmën ekonomike që do të marrin vendet e rajonit kjo ka pasur të bëjë me atë shpërblim për performancën për Shqipërinë 28 milion euro, ky është një nga stimujt që do të përdorni, apo po flitet këtu për instrumente të tjera?

Komisioneri Oliver Varhelyi: Stimuli i sotëm është një gjë që të cilën e kemi tashmë me fondet e para aderimet dhe kjo ka të bëjë me arritjet e Shqipërisë dhe prandaj unë iu kam sugjeruar Parlamentit Evropian që të alokojë 28 milion euro  për Shqipërinë.

Paketa ekonomike ose paketa e zhvillimit ekonomik do të jetë një plan i madh afatmesëm dhe afatgjatë për t’i integruar shtetet, shoqërinë dhe ekonomitë e Ballkanit perëndimorë më shpejt me tonat.

Ilva Tare: Zoti komisioner cilin konsideroni ju problemin më të madh ose pengesën më të madhe në vendet e rajonit, apo ka shumë?

Komisioneri Oliver Varhelyi : Po, ka shumë.

Ilva Tare: A mund të na tregoni disa që janë më kryesoret?

Komisioneri Oliver Varhelyi:  Po më lejoni ta them ndryshe pyetjen tuaj. Unë mendoj se ka shpresë për zhvillim. Për shembull ne kemi parë në fakt iniciativën  minishengen. Kjo është shumë interesante dhe është një gjë interesante që po ndodh në marrëdhënien ndërmjet vendeve dhe ne e kemi mirëpritur këtë që udhëheqësit e Ballkanit.

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor janë ulur në tryezë dhe po mendojnë për qytetarët për të lehtësuar jetën e tyre të përditshme tregtinë, ekonominë. Edhe pse kemi vetëm 3 shtete, unë dua shumë që  kjo të jetë e hapur për çfarëdo lloj vendi të Ballkanit Perëndimor që është i interesuar dhe inkurajoj ata që nuk janë pjesë, që të bëhen pjesë.

Ilva Tare: Dhe meqenëse po flasim për rajone, metodologjia e re, propozimi i ri, qasja e re, a do të përfshijë ato vende të cilët po i negociojnë kapitujt tashmë me BE-në si për shembull Serbinë dhe Malin e Zi apo është vetëm për vendet e reja?

Komisioneri Oliver Varhelyi : Ne në fakt po punojmë për një metodologji të re për vendet që do të hapin negociatat, do të jetë e vështirë që të ndryshohen rregullat e lojës gjatë lojës. Megjithatë, nuk mund të them që Serbisë dhe Malit të Zi nuk mund t’ju duket mjaft tërheqëse kjo metodologji e re dhe mund të zgjedhin që ta përdorin atë, por për momentin ne nuk po sugjerojmë që kjo gjë të jetë edhe për ta.

Ilva Tare: Z. Komisioner, ju keni vizituar sot Durrësin dhe keni parë dëmet nga tërmeti i tmerrshëm i dt. 26 nëntor. Çfarë ndjesie patët kur shkuat atje?

Komisioneri Oliver Varhelyi: Më duhet të them që ishte shokuese, ishte tronditëse. Shpresoj shumë që ne do të vazhdojmë dhe do  të japim dhe, do ta japim ndihmën tonë natyrisht për dëmet e tërmetit dhe shpresoj që këtë ta bëjmë sa më shpejt të jetë e mundur dhe prandaj Komisioni në dt. 17 shkurt në Bruksel do të organizoj Konferencën e Donatorëve. Do të jetë presidentja Von der Leyen, ajo do ta çelë këtë konference, do të kemi Kryeministrin shqiptar z. Edi Rama.

Ilva Tare: Çfarë prisni ju nga kjo konferencë e donatorëve ndërkombëtarë? Keni ndonjë objektiv të shifrës potenciale të ndihmës financiare që do t’i jepet Shqipërisë?

Komisioneri Oliver Varhelyi : Ne do të shikojmë raportin që do të bëhet për nevojat pas tërmetit. Kemi një ide të përafërt sa i përket dëmit të shkaktuar, në kuptimin e shifrës, por po presim pra raportin, por natyrisht ne po e diskutojmë këtë gjë me të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, me institucionet  e ndryshme ndërkombëtarë financiare, edhe Komisioni po shef buxhetin e vet që të japim ndihmën maksimale për Shqipërinë.

Ilva Tare: Z. Komisioner, një pyetje të fundit, ju thatë gjatë kësaj interviste dhe gjatë takimeve keni thënë që Komisioni i Ri e ka vënë në përparësi zgjerimin si rëndësi gjeopolitike që i jepni ju këtij procesi, ju vetë jeni nga Hungaria, a mendoni që kjo do të ndihmojë për ta njohur më shumë rajonin?

Komisioneri Oliver Varhelyi: Shpresoj që të jem i dobishëm në këtë drejtim dhe shpresoj që e shkuara ime të jetë e dobishme si për BE ashtu edhe për vendet e rajonit.

Faleminderit për këtë intervistë!

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?