Forcat për zbatimin e Operacionit Forca e Ligjit për goditjen e subjekteve që nuk justifikojnë dot pasurinë u panë në mesditë në Shijak.
Ato rrethuan kompleksin “Golden” në pronësi të familjes Hajri, të skeduar më parë për vepra të rënda penale e trafik droge në Itali. Sipas policisë, në këtë kompleks u dërgua i vdekur edhe pengu Jan Prenga, i cili u rrëmbye për llogari të 2 grupeve të tjera kriminale.
Por gjatë së hënës, burime për Euronews Albania treguan se u është dorëzuar formulari dhjetëra subjekteve që sipas aktit normativ, do të kenë kohë 48 orë për të justifikuar të ardhurat dhe me çfarë parash janë ngritur këto biznese, pasuri të paluajtshme dhe automjete.
Në bazë të informacioneve të mbledhura edhe nga drejtoritë në 12 qarqet e vendit, në data bazën e policisë kriminale është krijuar edhe lista e personave që dyshohet se janë të përfshirë në aktivitete kriminale dhe që kanë krijuar pasuri të jashtëligjshme.
Paketa ligjore mbi të cilën është ngritur kjo strukturë anti-KÇK, parashikon që për subjektet dhe bizneset të cilat nuk justifikojnë dot pasurinë dhe të ardhurat, dosja e tyre do të shkojë në SPAK, ku i jepen 15 ditë kohë, dhe 15 të tjera do i jepen Gjykatës që të shprehet me vendim për vendosjen e sekuestros.
Nga informacionet e para mendohet se janë rreth 250 subjekte të cilat do të kalojnë në filtrat e Operacionit Forca e Ligjit, dhe që kryesisht janë në qarqet më të mëdha të vendit.
Krahas familjarëve apo lidhjeve farefisnore, kontrolli do të shtrihet deri tek palët e treta apo edhe lidhje shoqërore tek të cilët janë transferuar pasuritë kriminale.
Kryesisht, kjo strukturë ka skeduar personat të cilat janë dënuar për trafik droge, shfrytëzim prostitucioni dhe organizatë kriminale brenda dhe jashtë Shqipërisë.