Ndërsa qeveria përgatiti projektbuxhetin e shtetit për vitin 2020 dhe shumica parlamentare e diskutoi dhe miratoi atë, ish-deputetët e Partisë Demokratike krahas publikimit të planit të tyre prej 5-pikash për përballimin e gjendjes së krijuar nga tërmeti, në shumë dalje publike realizuan oponencën ndaj zërave të projektbuxhetit. Për të diskutuar për sfidat e buxhetit të rindërtimit 2020 në studion e Good Morning Albanians ishte i ftuar një nga hartuesit e programit ekonomik të Partisë Demokratike, z. Dorjan Teliti.
Sipas z. Teliti që të bësh një proces rindërtimi së pari duhet të kesh një proces vlerësimi dhe sipas tij ende deri më sot nuk ka asnjë procesverbal zyrtar për një godinë të caktuar që të jetë bërë vlerësimi final.
“Jemi thjesht në ëndrra, në vlerësime hipotetike dhe me idenë se do të bëjmë një vlerësim për të ardhmen, por se sa do të jetë fatura për t’u rikthyer në gjendjen e mëparshme, kjo është një gjë e cila nuk po realizohet me shpejtësinë e duhur” tha z. Teliti.
Ish-deputeti i pyetur në lidhje me procesin e rivlerësimit dhe rindërtimit tha se ky proces po ecën shumë ngadalë dhe sipas ekspertëve mund të zgjasë gjatë gjithë vitit 2020.
“Ky do të jetë një proces shumë i gjatë, i cili ka për të marrë kohë. I kemi burimet humane dhe njerëzore. I kemi kapacitetet financiare për të përballuar një proces me ritme shumë më të shpejta” theksoi z. Dorjan.
Për z. Teliti, njerëzit kanë nevojë më shumë së kurrë të qartësohen nga situata.
Pyetjes nëse kjo fazë do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit, ish-deputeti u përgjigj menjëherë se po. Ai komentoi rritjen 4.1% të garantuar për vitin e ardhshëm nga ministrja e ekonomisë Anila Denaj, për të cilin tha se nuk mund të parashikojmë që rritja ekonomike do të vazhdojë normalisht sikur nuk ka ndodhur asgjë.
“Sot kemi zonën e Shijakut, Vorës, Krujës, Fushë-Krujës, gjysmën e qytetit të Durrësit që janë të pabanuara. Bizneset janë mbyllur dhe të thuash që ekonomia rajonale e këtyre zonave nuk është prekur, është diçka absurde”, nënvizoi eksperti i ekonomisë.
Në studio u diskutua edhe propozimi i kryetarit të Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, sipas të cilit çdo qindarkë e keq-shpenzuar të shkojë aty ku duhet.
“Për ne, për opozitën shqiptare kemi konstatuar me fakte se çdo kontratë koncesionare PPP, leje apo licensa të dhëna me ligj apo pa ligj, të dhëna në kurriz të interesit publik, të cilat janë dhënë në shkelje flagrante të ligjit, i kemi bërë thirrje qeverisë që t’i anulonte” tha z. Teliti.
Këto projektet koncesionare sipas z. Teliti, janë të vërtetuara nga raportet e Bankës Botërore të FMN-së, të Komisionit Evropian që kanë hije të forta dyshimi për afera korruptive.
Sipas tij, qytetarët shqiptarë në momentin e parë me votën e tyre të ndershme do t’i japin përgjigjen e merituar Ramës që zgjodhi 12 koncensionet e tij dhe jo 1 milion e 200 mijë shqiptarë.