Në një konferencë për shtyp këtë të hënë, kryedemokrati Lulzim Basha tha se zgjedhjet e parakohshme nuk duhet të vonojnë më. Sipas tij, Partia Demokratike është e gatshme të përdorë çdo formë për ta arritur këtë qëllim.
“Të gjithë format. Do të përdorim çdo formë për të sjellë zgjedhjet e parakohshme. Që nesër hajde bëjmë zgjedhje. Si e shoh unë të arsyeshme dhe si do bëhen është gjë tjetër. Por ne do të luftojmë që të bëhen një orë e më parë”, deklaroi kryedemokrati Basha.
Gjatë fjalës së tij, z. Basha iu drejtua kryeministrit Edi Rama duke i rikujtuar propozimet që i ka dërguar prej muajit shtator për reformën zgjedhore.
“Pritja nuk mund të vazhdojë pa fund. Do marrim çdo vendim dhe veprim të domosdoshëm për të mos e lënë Shqipërinë pa reformë zgjedhore dhe pa zgjedhje të lira dhe të ndershme” shtoi kreu i Partisë Demokratike.
Kryedemokrati Basha është dakord për sistemin maxhoritar, por sipas tij edhe ai do të dështojë nëse nuk ndahet politika nga krimi.
Kushdo që dyshon se pas këtyre deklaratave ka një skenar tjetër për marrëveshje midis dy partive më të mëdha, z. Lulzim Basha i përgjigjet se ky nuk mund të jetë proces tavolinash të mbyllura dhe dhomash të errëta.