Në një mesazh të përbashkët, Organizatat Ndërkombëtare dhe Partnerët e Zhvillimit në Shqipëri shprehën solidaritetin e tyre me vendin tonë në këtë kohë krize shëndetësore globale dhe gjithashtu rikujtuan qytetarët të zbatojnë rregullat për të mbrojtur jetën e vet dhe personave të dashur.
“Këto janë ditë të jashtëzakonshme për të gjithë botën. Pandemia e COVID-19 po rrëmben jetë njerëzore dhe po shkakton trazira masive për njerëzimin. Ne, si bashkësi organizatash ndërkombëtare dhe partnerësh zhvillimi në Shqipëri, dëshirojmë të shprehim unitetin tonë me popullin shqiptar ndërsa bashkojmë forcat në këtë luftë. Ne jemi pranë jush për të kapërcyer këtë krizë së bashku!” shkruhej në njoftimin e përbashkët të Bashkimit Evropian, Ambasadës Amerikane në Tiranë, asaj Suedeze, Gjermane, Italiane, si dhe Bankës Botërore në Shqipëri, OSBE, Kombeve të Bashkuara dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Së bashku mundemi t’a mposhtim #Covid19.⠀#QëndroniNëShtëpi⠀
—
Together we can push back #Covid19.⠀#StayAtHome pic.twitter.com/KpXnn4Q0fN— EU in Albania (@EUinAlbania) March 22, 2020
Mesazhi i bëri thirrje qytetarëve të mbështeten tek burimet e besueshme të informacionit si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri.
“Mos hamendësoni se nuk do të prekeni. Përgatituni sikur do të prekeni. Respektoni masat e marra, mbroni veten dhe të dashurit tuaj, mbani distancën shoqërore, qëndroni në shtëpi dhe lani duart shpesh.”
Organizatat Ndërkombëtare dhe Partnerët e Zhvillimit në Shqipëri falënderuan gjithashtu “të gjithë punonjësit e shëndetësisë, policisë, autoriteteve kufitare, autoritete lokale dhe shumë nga njerëzit tanë që janë në vijën e pare të luftës, duke shpëtuar jetë dhe mundësuar funksionimin e shoqërisë.”