Gardianët në burgjet e shtetit punojnë në kushte të vështira, pa armë dhe të ekspozuar ndaj rreziqeve, me një numër stafi të kufizuar.
Përpos kësaj, ata përballen me sfida edhe jashtë mureve të burgut. Rasti konkret ndodhi disa muaj më parë, kur një gardian pati përplasje brenda burgut, ndërkohë më pas automjeti i tij u gjet i djegur jashtë rrethimit të burgut.
Ndërkohë, 2 javë më parë, një gardian në burgun e Velesit nuk e përballoi dot presionin dhe humbi jetën. Ai u gjet brenda zyrës së tij më një plagë plumbi në kokë.
Në Maqedoninë e Veriut, policia e burgjeve është e ekspozuar ndaj një ngarkese psikologjike të madhe ndërsa sistemi nuk parasheh mbështetje psikologjike për ta.
“Një nënpunës policor që ka të bëjë me përgjegjësi të cilët kanë të bëjnë me krime, dhe persona të cilët janë me gjendje të rënduar dhe shkatëruar psikologjike, kjo pa dyshim që i afekton në mënyrë shumë të keqe. Kohëzgjatja që punon aty dhe mospasja e ndihmës vetëm përkeqëson gjendjen. Organet kompetente MPB dhe Ministria për punë dhe politikë sociale duhet të krijojë një sistem për mbrojtje dhe mbështetje psikologjike të nënpunësve policor, në veçanti të nënpunësve policor në burgje”, tha psikologia, Sumaja Ramadani.
Raporti i publikuar një vit më parë nga avokati i popullit, tregon se në burgjet e Maqedonisë së Veriut, raporti gardian për të dënuar është 1 me 100.
Përveç këtyre, ka edhe raste shqetësuese ku gardianët dyshohen se janë të përfshirë në aktivitete kriminale, duke abuzuar me detyrën e tyre. Aktualisht, janë 13 raste të hapura nga Prokuroria Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit që përfshijnë punonjës të policisë së burgjeve.