Kryeministri, Edi Rama në fjalën e mbajtur një ditë para nisjes së zbatimi të ligjit special të njohur si paketa anti-KÇK, tha se ky është një moment të rëndësishme në luftën me krimin e organizuar. Kreu i qeverisë u shpreh se ligji parashikon verifikim të pasurisë për persona të dënuar apo akuzuar për krim të orgaizuar dhe krim të rëndë.
“Ka ardhur koha për të gjithë të fortët dhe të pa prekshmit e këtij vendi, që të përgjigjen për pasuritë e tyre. Tani kemi një instrument të fortë në duart e Policisë së Shtetit, ligjin special për marrjen e të gjitha masave të nevojshme pasurore ndaj të gjithë atyre që në 30 vjet janë dënuar apo janë akuzuar për krim të organizuar, terrorizëm, krime të rënda”, theksoi z. Rama.
Duke shpjeguar procedurën se si do të bllokohen pasuritë e pajustifikuara, Rama tha se, brenda 48 orëve nga konstatimi, subjektet do të duhet të plotësojnë formularin e burimit të pasurisë. Më pas këto formularë do t’i paraqiten SPAK-ut dhe më tej rasti do të dërgohet në gjykatë.
“Kjo nuk do të vazhdojë në ato proceset fantastike gjyqësore që na kanë bërë gazin e botës ku në fund fare persona me burgim të përjetshëm dalin për të punuar në komunitet. Kjo ka afate. 48 orë formulari, deri në 15 ditë SPAK-u, pastaj deri në 15 ditë gjykata dhe pastaj lamtumirë prona juaj”, tha z. Rama.
Kryeministri bëri dhe një paralajmërim për njerëzit e drejtësisë që japin vendime të padrejta, duke thënë se ligji parashikon pezullimin e tyre nga detyra. Nga ana tjetër, shtoi se rezultatet pozitive në bllokimin e pasurive të paligjshme do të sjellin rritje të pagave për punonjësit e policisë.
“Për gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, për çdo rast kur do të konstatohen raste abuzive parashikohet pezullimi brenda tre ditëve dhe nisja e hetimeve. Ata janë bashkë, dhe unë ju siguroj që ne jemi bashkë për t’i bërë ata bashkë atje ku e kanë vendin të dyja palët. Ju siguroj për këtë. Të gjithë ju mund të keni shumë rezerva dhe kritika legjitime edhe për qeverinë, por një gjë vetëm jam i bindur që askush nga ju nuk e thotë dot që në këto vite ju jeni tradhtuar, ju nuk jeni respektuar dhe kushtet tuaja nuk janë përmirësuar, dhe rroga juaj nuk është rritur, edhe pse e gjitha kjo nuk mjafton”, u shpreh kreu i qeverisë.
Zbatimi i ligjit anti-KÇK do të bëhet në bashkëpunim mes Policisë së Shtetit dhe Strukturës së Posaçme të Antikorrupsionit. Sipas Ramës kjo do të jetë sprova e parë e SPAK-ut.
“Sot, kemi një garanci më shumë. SPAK tani më është formuar dhe kjo është sprova e parë për vetë SPAK. Duke pasur një besim absolut tek ata që janë bërthama e këtij institucioni të porsalindur, kam shumë besim se jemi në kohën dhe vendin e duhur dhe kemi forcat e duhura për të bërë një ndryshim historik me marrëdhënien e krimit në hapësira e vendit tonë”, u shpreh më tej z. Rama.