Kryeministri, Edi Rama ka bërë të ditur se, të gjitha familjet që marrin ndihmë ekonomike, do të marrim dyfish pagesë gjatë masave ndaj COVID-19. Ndihmë financiare do të ketë dhe për të gjithë ata persona që janë regjistruar si të papunë, të cilët gjithashtu do të marrin dyfishin e pagesës.
“Për familjet me ndihmë ekonomike, do të shpërndajmë dyfishin e shumës, për 70 000 familje do të dyfishohet rimbursimi. Të papunët do të paguhen edhe ata dyfish, pasi nuk është koha për të parë strik ligjin. Askush nga ata që janë në hall të mos ndjehet vetëm. Sot është dita për t’u qëndruar pranë”, u shpreh z. Rama.
Por edhe për biznesin e vogël, pavarësisht se kanë deklaruar një pagë dhe në kufijtë e pagës minimale, sërish ndihma financiare nuk do të jetë vetëm për kryefamiljarin. Për këtë arsye, kreu i qeverisë tha se, pavarësisht se fondi i pagave të të vetëpunësuarve arrin në 710 milionë lekë, ndihma financiare për këtë kategori do të jetë sa dyfishi i këtij fondi.
“Çdo i regjistruar me apo pa pagë, si i vetëpunësuar nga familja, do të marrë një pagë lufte dhe shuma 710 milionë lekë të reja të deklaruara nga ata që e kanë mbyllur biznesin do të bëhet 1.57 miliardë lekë të reja, do të japim dyfishin e shumës së deklaruar. Duke kompensuar të gjithë të punësuar apo vetë punësuarit në një biznes të vogël që nuk punojnë për shkak të luftës”, u shpreh Kryeministri.