Kryeministri i vendit, Edi Rama, ditën e djeshme prezantoi në vija të përgjithshme paketën e dytë mbështetëse për bizneset dhe qytetarët, të cilët kanë tkurrur veprimtarinë e tyre për shkak të masave të aplikuara nga qeveria, me synim frenimin e përhapjes së mëtejshme të pandemisë globale të COVID-19.
Kjo paketë e dytë financiare në fokusin e saj ka për qëllim të ndihmojë rreth 176 mijë persona që humbën punën e tyre. Kjo masë e re e qeverisë shqiptare, është komentuar edhe nga ekspertët e ekonomisë në vendin tonë. Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, në një lidhje direkte me Euronews Albania e konsideroi si një hap pozitiv hartimin e paketës së dytë financiare, në të cilën do të përfitojnë 100 mijë punonjës të biznesit të vogël që nuk përfituan nga paketa e parë, 10 mijë punonjës të sektorit të turizmit si dhe 66 mijë punonjës të hequr nga puna nga biznesi i madh.
“Pavarësisht që detajet nuk janë bërë të njohura, por unë e konsideroj si një zhvillim pozitiv, e konsideroj si një përpjekje të dytë shumë të rëndësishme për të lehtësuar së pari barrën e krizës mbi grupet të caktuara të popullsisë që janë prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke pasur parasysh bizneset e vogla, por edhe papunësinë që është shkaktuar nga mungesa e veprimtarive të mëdha. Në veçanti sektori i turizmit që po e përjeton këtë krizë për një periudhë të gjatë që nga viti i kaluar për shkak të tërmetit, kostot e të cilëve që ishin ndërmarrë mund të ketë ndikuar në likuiditetin e tyre. Nga kjo pikëpamje, e gjykoj si një veprim të duhur. Personalisht do të kisha gjykuar, që masat duhet të ishin ndoshta edhe më të forta, më agresive, në kuptimin që nevoja për të përballur një goditje kaq të forta, siç ishte tërmeti dhe pandemia, të cilën po kalojmë, ndoshta do ta justifikonte një vendim edhe me agresiv nga ana e qeverisë.Mendoj se është një hap i rëndësishëm i ndërmarrë. Me sa kuptova kryeministri tha se do të ketë edhe një paketë të tretë në varësi të zhvillimeve, gjë që do të thotë se zhvillimet janë duke u monitoruar”, tha Xhepa.
Ai kritikoi gjithashtu edhe fondin e garancisë sovrane prej 100 milionë dollarësh, paketën kjo e cila u vu në dispozicion të bizneseve për të paguar punonjësit e tyre. Zoti Xhepa tha se kjo kredi e vënë në dispozicion nga qeveria për biznesit ka një normë të lartë interesi dhe kjo qasje sipas tij, nuk do ndihmonte aspak në lehtësimin e krizës.
“Edhe në paketën e parë pati një fond garancie prej gati 100 milionë dollarë, por unë mendoj që mënyra se si ishte konceptuar lë për të dëshiruar. Marrja e një kredie me një normë interesi pothuajse gati 3 për qind është absolutisht një normë shumë e lartë interesi, bëhet fjalë për masa emergjente për të lehtësuar nevojën për likuiditet”, tha ai.
Eksperti tha se dy paketat ekonomike të propozuara duhet të rikonceptohen, ndërsa tregon se si mund të kontribuonte realisht qeveria në zbutjen e kësaj krize të shkaktuar nga pandemia globale e COVID-19.
“Duke pasur parasysh edhe eksperiencën e vendeve të tjera, këto masa kanë nevojë të rikonceptohen. Dhe me qenë se kemi edhe një paketë të dytë, them që të dyja duhet të rikonceptohen. Së pari për të garantuar një furnizim për likuiditet për sipërmarrjen. Këtu nuk bëhet fjalë për para pa çmim, por qeveria mund të marrë përsipër koston e normës së interesit dhe ky do të ishte kontributi i qeverisë për të lehtësuar krizën, ndërsa nga ana tjetër, rreziku i kredisë duhet të ndahet më mirë mes bankave dhe sipërmarrjes private. Këtu bëhet fjalë për një sipërmarrje private që ka një histori të mirë me bankat”, shtoi ai.
Lexoni gjithashtu: