Një grup qytetarësh italianë, me maska mbrojtëse në fytyrë, u lanë në pritje jashtë një supermarketi në Kasalpusterlengo, një nga zonat e vëna nën kontrollin e autoriteteve, ku numri i të prekurve nga koronavirusi ka shkuar në mbi 100.
Qeveria miratoi një ligj të posaçëm këtë të shtunë që u dha fuqinë për të mos i lejuar njerëzit të futen në turma në zonat më të prekura.
Jashtë supermarketit u bë një radhë e madhe me njerëz që u urdhëruan nga policia të prisnin, ndërkohë që vendi është pushtuar nga paniku dhe raftet e supermarketeve janë boshatisur.
Lombardia dhe Venetoja, zemra industriale e Italisë, janë rajonet e prekura më shumë nga koronavirusi.
Lombardia është rajoni i kryeqytetit financiar italian, Milanos, me një popullsi prej 1.4 milionë banorësh.
Kryebashkiaku i qytetit, Xhuzepe Sala, njoftoi se të gjitha shkollat e Milanos do të jenë të mbyllura, që nga kjo e hënë, ndërkohë që Lombardia dhe Venetoja ka vendosur t’i mbajë mbyllur universitetet deri në fillim të muajit mars.
Ndërkohë, rrugët e Kodonjos, në qytet i vogël në Italinë e Veriut, ku u shfaq dhe rasti i parë i koronavirusit, duket janë në ndonjë qytet fantazmë.
Njerëzit në disa qyteza të Lombardisë e Venetos, rreth 50 mijë banorë në total, janë udhëzuar të mos dalin nga shtëpitë.
Patrulla me policë me maska ndalojnë makinat nëpër kryqëzime dhe bëjnë kontrolle të imtësishme të banorëve.
Në Itali janë verifikuar 5 të vdekur deri më tani, dhe mbi 188 të infektuar.