Papa Françesku kritikoi të dielën ato që i quajti “zgjidhjet e pabarabarta” për konfliktin izraelito-palestinez, duke deklaruar se ato do të jenë prelud i një krize të re.
Edhe pse nuk e citoi, fjalët e tij duket se i referoheshin planit të paqes të presidentit Donald Trump. Ati i Shenjtë i bëri komentet e tij nga qyteti i Barit, ku udhëtoi për të përfunduar një takim me peshkopët nga të gjitha vendet e Mesdheut.
“Rajoni i Mesdheut aktualisht është i kërcënuar nga pllakosja e destabilitetit, si në pjesën e Lindjes së Mesme, ashtu edhe në atë të Afrikës së Veriut, mes grupeve të etnive dhe besimeve fetare të ndryshme. Nuk mund të injorojmë konfliktin e pazgjidhur mes izraelitëve dhe palestinezëve përballë rrezikut që vjen nga zgjidhjet e pabarabarta, që rrjedhimisht janë një prelud për kriza të reja”, ka deklaruar PapaFrançesku.
Mes të pranishmëve ishte edhe arqipeshkvi Pierbatista Picabala, kreu i Patriarkatit Latin të Jeruzalemit, juridiksioni i të cilit përfshin Izraelin, territoret palestineze dhe Jordaninë.
Kjo është hera e parë që Papa Françesku, që disa herë ka mbrojtur të drejtat e palestinezëve për shtetësi dhe nevojën e Izraelit për siguri, flet publikisht për konfliktin që kur Trump njoftoi planin e tij më 28 janar.
Plani njeh autoritetin e Izraelit në kolonitë e Bregut Perëndimor dhe u kërkon palestinezëve të përmbushin një sërë kushtesh për krijimin e një shteti.