Parisienët duket se i kanë shpërfillur udhëzimet e qeverisë për t’i qëndruar larg njëri-tjetrit në mënyrë që të pengohet përhapja e coronavirusit.
Ditën që kryeministri Eduard Filip njoftoi masat e rrepta për të kufizuar takimet shoqërore, njerëzit mbushën rrugët dhe brigjet e lumit Senë.
Çifte, familje me fëmijë dhe grupe miqsh u panë të dalin nëpër lulishte e duke luajtur pranë muzeut të Luvrës.
Të dielën u dha urdhër që të mbyllen dyqanet, restorantet dhe të gjitha veprimtaritë kulturore, si dhe u kërkua që njerëzit të mos dalin nga shtëpia përveçse për gjëra tepër të nevojshme.
Masat u njoftuan pasi numri i të prekurve në Francë u dyfishua brenda 72 orëve.
Shkollat janë mbyllur duke nisur që këtë të hënë, dhe disa nga nxënësit thonë se nuk dinë se çfarë të bëjnë me kohën e lirë.
“Duke qenë se jetojmë në Paris, pa oborre shtëpie, dhe koha është e bukur, duam të dalim në ajër të pastër, sigurisht, duke larë duart e duke qëndruar mbi një metër larg njëri-tjetrit”, thotë një prej vajzave për Reuters.
Qeveria mbajti edhe zgjedhjet vendore këtë të diel, por pjesëmarrja doli shumë e ulët, rreth 38.7%.