Parlamenti Evropian (PE) miratoi një projekt-ligj për restaurimin e ekosistemeve natyrore në tokën evropiane.
Për propozimin votuan 336 deputetë, 300 ishin kundër dhe 13 abstenuan, raporton Reuters.
Eurodeputetët dhe vendet anëtare të BE-së do të negociojnë tani versionin përfundimtar të ligjit, me synimin për të arritur një marrëveshje përpara zgjedhjeve të PE në 2024.
Shtetet e Bashkimit Evropian janë të detyruara me këtë ligj të inkurajojnë masat për restaurimin e natyrës në një të pestën e territorit të tyre – tokës dhe detit – deri në vitin 2030.
Qëllimi i ligjit është të ndryshojë trendin e degradimit gradual të ekosistemeve evropiane, pasi 81 për qind e këtyre habitateve natyrore janë në gjendje të keqe.
“Rivendosja e natyrës sjell përfitime të shumta për fermerët si rigjallërimi i tokës, dhe në të njëjtën kohë i mbron ata nga ndikimi përkeqësues i ndryshimeve klimatike. Ne thjesht nuk mund të kultivojmë ushqim në tokë të vdekur”, tha eurodeputeti Muhammad Chahim pas votimit.
Me të nuk janë dakord përfaqësuesit e grupit më të madh parlamentar evropian, Partisë Popullore Evropiane (EPP), të cilët besojnë se ligji do të dëmtojë fermerët.