Prokuroria dhe policia dhanë detaje të operacionit për dëmet pas tërmetit në kryeqytet që çoi në pranga ish-kryetarë komunash, zyrtarë të urbanistikës, ndërtues, arkitektë e inxhinierë. Nga 41 urdhër ndalimi, deri në mesditë janë ekzekutuar 31, ndërsa 10 persona janë shpallur në kërkim.
Operacioni i koduar “Pasojat” nisi pasditen e së martës dhe vazhdon ende. Por kjo nuk i pengoi autoritetet të japin detaje mbi shkeljet e konstatuara gjatë hetimit 6-javor. Mes të ndaluarve për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe ndërtim i paligjshëm janë edhe ish-kreu i komunës së Farkës, Fatbardh Plaku dhe ai i Kasharit, Besnik Fuçia, si dhe shefi i Urbanistikës në Vorë, Luan Beta.
“Është hetuar në drejtim të identifikimit të faktit nëse ndërtuesit apo kontraktuesit kanë zbatuar me përpikëri detajet e projektit, duke bërë të mundur që vendimet e tyre të sjellin apo jo pasojëne e ardhur”, – tha Elisabeta Imeraj, drejtuese e Prokurorisë së Tiranës.
Hetimet zbuluan se në objektet e shpallura të pabanueshme ka mungesë të dokumentacionit, dhe në disa raste janë plotësuar me falsifikime.
“Mungojnë procesverbale të përfundimit të objekteve dhe dokumente të tjera teknike. Në disa dosje mungojnë aktet e konstatimit të mbajtura nga ish-komunat Farkë e Kashar”, – tha prokurori Erjon Imeraj.
Ndërkohë, prokurori tjetër Alekt Mersinaj i bëri thirrje qytetarëve të kallëzojnë çdo dëmtim të banesave të tyre.
Prokuroria e Tiranës ka ende nën hetim objekte të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit në zonën e Dajtit, në Bashkinë e Kamzës si dhe në zonën e Freskut.