Partia Demokratike i cilëson standarde të dyfishta procedurat e ndjekura nga policia dhe prokuroria gjatë operacionit ku u ndalua edhe botuesi Henri Çili.
Botuesi i njohur u ndalua si pjesë e një grupi të dyshuar për ushtrim të paligjshëm ndaj një zyrtari të lartë të drejtësisë.
Sipas Partisë Demokratike, drejtori i përgjithshëm i policisë shmangu identifikimin e zyrtarit të lartë të drejtësisë, i cili ka premtuar favore për gjykimin e dosjes në Gjykatën e Lartë.
Çlirim Gjata, sekretari i Partisë Demokratike për çështjet ligjore, tha se policia dhe prokuroria kanë për detyrë të informojnë opinionin publik.
“Kush është zyrtari i lartë i sistemit të drejtësisë i përfshirë në këtë dosje? Pse po mbahet i fshehtë emri i tij? Pse u kryen ndalimet përpara se drejtuesi i organit të lartë të drejtësisë të kryente takimin e radhës në mars, siç thuhet në dosje”, tha Çlirim Gjata në një deklaratë për shtyp.
Sipas sekretarit ligjor, dy janë emrat që aktualisht kanë lidhje me Gjykatën e Lartë.
“Ardian Dvorani, aktualisht i vetmi anëtar funksional i Gjykatës së Lartë, drejtues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sokol Sadushi, kandidat pa rival për Gjykatën e Lartë, emërimi i të cilit pritet të ndodhë në mars”, tha Gjata.