Pas rritjes së rasteve me Covid-19 në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë ka hapur tender një ditor, për t’u furnizuar me aparate respiratore.
Edhe pse më herët Ministria njoftoi se sistemi shëndetësor i ka kapacitetet për të përballuar situatën e coronavirusit, institucioni ka vënë në dispozicion 129 milionë lekë vetëm për respiratorët. Në dokumentin e siguruar nga “Euronews Albania”, vihet re se tenderi është hapur më datë 17 mars dhe ka përfunduar në orën 17:00, të ditës së djeshme.
Operatori që i siguron më shpejtë pajisjet do të jetë më i favorizuar, teksa me 60 pikë vlerësohet shpejtësia e sigurimit të pajisjeve, ndërsa me 40 pikë oferta më e mirë. Operatori ekonomik që ka marrë më shumë pikë gjatë mbledhjes do të ftohet për negociata dhe lidhjen e kontratës.
Aparatet respiratore janë mjeti më i domosdoshëm për personat që kanë komplikacione me frymëmarrjen për shkak të COVID-19. Deri më tani, në Shqipëri janë 59 raste të identifikuara me coronavirus, teksa 30 prej tyre po marrin shërbim shëndetësor në Spitalin Infektiv në kryeqytet.