Henrigert Mitri dhe Klodian Shahini, janë përjashtuar nga Policia e Shtetit për veprime korruptive, sjellje të rëndë diskretituese, shkelje të rëndë të atributeve dhe shkelje të kompetencave dhe mosbindje të rëndë.
Sipas njoftimit, Mitri akuzohet për favorizim të kultivimit të kanabisit dhe korrupsion e lojra fati të paligjshme ndërsa Shahihi ndihmonte grupin që kishte në objektiv për të ekzekutuar Preng Gjinin.
“Drejtues Henrigert Mitri me detyrë shef i Sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit dhe Drejtimit, në Departamentin për Sigurinë Publike, pasi më datë 15.05.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 283/1, 28/4, 333/a/1, 334, 259, 197/3 dhe 248 të Kodit Penal.
2 – Komisar Klodian Shahini, me detyrë shef i Seksionit të Policimit në Komunitet dhe Shërbimit ndaj të Tretëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë, Dibër, pasi më datë 15.05.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80, 284, 28/4, 333/a/1 e 334 të Kodit Penal”-njofton policia.
LEXONI GJITHASHTU:
- ATK dhe Policia kryejnë aksion në veri
- Martesa e 2 grave, Myftinia e Tiranës: Akt i pabazuar në ligj, s’përfaqëson traditën