Intervista që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dha ekskluzivisht për Ilva Now në Euronews Albania është interpretuar në mënyra të ndryshme në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi.
Dasid Pallaska, Prishtinë: Vuçiç nxitës i luftës, Rama hallka më dobët e bashkëpunimit në Ballkan
Dasid Pallaska, avokat nga Prishtina, në një lidhje me Ilva Now e cilësoi gënjeshtër tipike të Vuçiç deklaratën e tij lidhur me krimet e luftës që Serbia ka bërë ndaj popullsisë kosovare. Ai akuzoi Vuçiç si një njeri që ka mbjellë urrejtje etnike dhe nxitës i atmosferës së luftës, teksa kujtoi deklaratën e bërë nga presidenti i Serbisë në fillimet e karrierës së tij në vitin 1995, kur thoshte se për secilin serb të vrarë do vriten 100 boshnjakë.
“Ai nuk është një person që projekton besueshmëri, madje është nxitës i luftës. Vuciç duhet t’i japë fund ngacmimit të plagës së luftës, duhet të marrë përsipër përgjegjësinë që i takon, nuk kemi nevojë për deklarata populiste që fshehin krimet. Duhet nisur duke hequr dorë nga mohimi i krimeve të luftës dhe fushatës për çnjohjen e Kosovës”, shprehet Pallaska.
Duke iu referuar Samitit të Shengenit Ballkanit dhe mungesës së Kosovës, Pallaska akuzoi kryeministrin shqiptar Edi Rama se u bë palë me Vuçiç kundër Kosovës.
“Është gjithçka përveçse hallkë bashkëpunimi. Është hallka më e dobët në rajon, ndaj është përzgjedhur si partner i Vuçiç. Secili kriminel, para se të bëjë një krim, gjen një alibi, Këtë bëri Rama kur i kërkoi Vuçiç të njohë Kosovën, në Beograd. Në takimin e minishengenit e tregoi teksa në krah të Vuçiç, sulmoi lidershpipin e Kosovës”, – tha ai.
Bujar Osmani, Shkup: Minishengeni, një tentativë. Kosova të mbajë qëndrim, ka nevojë për një platformë për interesat e veta
Bujar Osmani, zv/kryeministri i Maqedonisë e vlerësoi minishengenin një iniciativë në tentativë për t’u ndërtuar si koncept final. Sipas tij minishengeni është një platformë joformale ku takohen liderët e Ballkanit për të shtruar çështjet e popujve të tyre, por që nuk mund të jetë funksionale pa 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kosova për Osmanin, duhet të mbajë një qëndrim lidhur me këtë iniciative kur të formohet qeveria e re, pasi ajo ka nevojë për një platformë kur të shprehë interesat e veta.
“Shqiptarët dhe serbët janë popuj dominantë në Ballkan, nga raporti i të cilëve varet qasja e rajonit. Gjeografikisht jemi fqinj, ndaj jemi të detyruar të bashkëpunojmë. S’mund të harrohet e kaluara, duhet përgjegjësi morale për çfarë është bërë. Në intervistën tuaj Vuçiç bëri një hap përpara duke pranuar se serbët kanë bërë krime në Kosovë”, shprehet Osmani.
Genc Limanbegum, Ulqin: Minishengeni, lëvizje lirë mallrash e njerëzish, i pamundur pa Kosovën
Genc Limanbegu, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, në një lidhje live nga Ulqini vlerësoi se minshengeni është një tentativë që mori jetë gjatë samitit të Novi Sadit është mbetet në kuadër të tentativës, pasi është praktikisht i pamundur pa praninë e Kosovës.
“Tentativa apo deklarate e Novi Sadit, ku është folur për minishengenin, është tentativë pasi parasheh lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve dhe kjo pa Kosovën është e pamundur,
Janë disa parakushte që 20 vite pas luftërave në Ballkan nuk janë realizuar. Në Kosovë qeveria është duke u formuar, edhe sikur të vinte Haradinaj në këto takime ai nuk do të kishte kredibilitet”, – thotë Limanbegu, ndërsa shton se Kosova duhet të bashkëpunojë, por nga ana tjetër Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet sovran jo si shtet me asterisk.
Sipas Limanbegut, dyzimi i Malit të Zi sa i përket minishengenit lidhet me faktin se Mali i Zi nuk dëshiron që ky proces të jetë një zëvendësim me integrimin evropian, çka është objektivi i tij i parë.