Është finalizuar nga Policia e Elbasanit operacioni policor “Resource” që ka rezultuar me arrestimin e një 31-vjeçari për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
31-vjeçari, i arrestuar dhe më parë në Itali për shfrytëzim prostitucioni,ka përfituar nga kjo veprimtari kriminale pasuri me vlerë rreth 136 mijë euro, 1 apartament në Durrës dhe 3 automjete të cilat janë sekuestruar.
Njoftim i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Resource”.
Në kuadër të një procedimi për gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Resource”.
Si rezultat i operacionit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, u kap dhe u ndalua shtetasi M. A., 31 vjeç, banues në Elbasan, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 01.12.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjithashtu, u bë sekuestrimi i pasurive me vlerë rreth 136 000 euro (1 apartament në Durrës dhe 3 automjete), të cilat dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi.
31-vjeçari ka qenë i arrestuar më parë në Itali, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
LEXONI GJITHASHTU:
- E përfituar nga veprimtari kriminale, sekuestrohet pasuria e punonjëses së shtetit
- Në kërkim për trafik droge dhe grup kriminal, ekstradohen dy persona