“Pas 4 orësh bisedimesh në Berlin, është arritur një marrëveshje politike për zgjidhjen e krizës në Libi”- ka deklaruar Kancelarja Merkel.
Samiti i mbështetur nga Kombet e Bashkuara që mblodhi 11 liderët e vendeve të përfshira në konflikt, përfshi Rusinë dhe Turqinë, ashtu si edhe disa organizata ndërkombëtare, filloi në mesditë dhe përfundoi në mbrëmje me miratimin e një deklarate të përbashkët e cila bën thirrje për t’i dhënë fund ndërhyrjeve të jashtme në Libi, sikurse edhe zbatimin e embargos për të mos furnizuar vendin afrikan me armë.
Takimet e gjata diplomatike të Gjermanisë dhe Kombeve te Bashkuara kanë për synim t’i japin fund luftimeve në Libi, ku ndërmjetës kryesor ka qenë edhe sekretari i Kombeve të Bashkuara, Gjenerali Antonio Guterres dhe i dërguari i tij për Libinë Ghassan Salame.
Ndër pjesëmarrësit në Samit, ishin edhe Presidenti Rus, Vladimir Putin, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kryeministri italian, Giuseppe Conte, Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Në këtë samit u ftuan edhe dy rivalët për pushtet ne Libi, Kryeministri Fajez Sarraj dhe Gjenerali Khalifa Hifter.
Në konferencën për shtyp pas samitit, Merkel deklaroi se nuk ka asnjë mundësi për zgjidhje ushtarake ne Libi.