Pas shpërndarjes me shpejtësi të coronavirusit COVID-19 në Itali, autoritetet shqiptare kanë shtuar masat dhe kanë vendosur një gatishmëri në qendrat spitalore. Për masat që janë marrë në Qendrën Kombëtare të Urgjencës në Tiranë ka folur doktori Klejdi Cankja.
Ky i fundit tregoi për emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania se janë shtuar thirrjet e qytetarëve që kërkojnë ndihmë, dhe ky fluks telefonatash shtoi ai, lidhet kryesisht me frikën e coronaviorusit. Sipas tij, kjo situatë ka bërë që qendra të shtojë stafin e mjekëve dhe të infermierëve.
“Këto ditët e fundit, duke qenë se edhe thirrjet janë shtuar jashtë mase, qoftë nga frika, paniku nga po themi mungesa e informacionit, dhe ne normalisht jemi detyruar që jemi përgjigjur me një shtim të stafit, qoftë nga ana e mjekëve, por kemi shtuar edhe inferimierë që t’u përgjigjemi në kohë reale shtimit të thirrjeve që kanë ndodhur këto 5 ditët e fundit, që ka shpërthyer epidemia edhe në Itali. Zakonisht ne marrim 1000-1150 thirrje në ditë. Pra, trendi i rritjes ka qenë 400-500 thirrje më shumë se sa norma jonë në ditët e zakonshme, kryesisht janë në lidhje me coronavirusin”-tha ai.
Doktori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, Klejdi Cankja tha se më të shqetësuara për këtë situatë janë moshat e rritura, ndërsa theksoi se frika është prezente edhe tek shtresat e tjera.
“Gjithmonë ne jemi përgatitur. Plani ynë i emergjencës është gjithmonë në varësi të situatës dhe të gjendjes. Kemi një shpërndarje, por shpesh të shqetësuara janë moshat e rritura. Shqetësimi është në të gjitha moshat dhe në të gjitha shtresat. Ne mundohemi që t’i qetësojmë të gjithë për t’ua larguar pjesën e frikës dhe të panikut”, shtoi ai.