➤ Ora 09:02 Rasti i parë me coronavirus në Nigeri
Nigeria ka konfirmuar rastin e parë ë një pacienti me coronavirus. Bëhet fjalë për një italian që udhëtonte për arsye pune që nga Milanoja.
➤ Ora 08:25 Identifikohet një qen shtëpie i infektuar me coronavirs
Një qen në Hong Kong është verifikuar si i infektuar me coronavirus, edhe pse nuk kishte asnjë simptomë, ndaj mjekët e kanë futur në karantinë.
➤ Ora 08:04 Zelanda e re konfirmon rastin e parë me coronavirus COVID-19
I prekuri është një 60-vjeçar që sapo është kthyer nga Irani, po gjasat që të përhapen në komunitet mbeten të ulëta.
➤ Ora 21:18 Francë, rritet ndjeshëm numri i të prekurve
Ministri i Shëndetësisë së Francës tha se kishte një rritje domethënëse të rasteve të coronavirus në vend me 38 raste të konfirmuara.
➤ Ora 16:45 Iran, pezullohet mësimi në shkolla dhe universitete pas frikës së përhapjes së coronavirusit
Autoritetet iraniane kanë vendosur të shtyjnë vendimin për të pezulluar orët e mësimit në shkolla dhe universitetet deri javën e ardhshme si dhe anulimin e të gjitha evenimenteve sportive, kulturore dhe fetare për shkak të rritjes së numrit të infektuarve në vend.
➤ Ora 15:26 Britani, konfirmohen dy raste të reja me COVID-19
Departamenti i Shëndetësisë në Angli tha se virusi ka kaluar përmes Italisë dhe ishujve Tenerife, ku një hotel po mbahet në karantinë.
➤ Ora 15:15 Konfirmohet rasti i parë në Amerikën Latine
Një burrë nga Brazili ka rezultuar pozitiv ndaj testit të COVID-19, duke shënuar rastin e parë në Amerikën Latine
➤ Ora 13:43 Greqi, dy raste të reja me coronavirus
Një përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë greke, Sotiris Tsiodras, ka njoftuar verifikimin e dy rasteve të reja me coronavirus dhe anulimin e karnavaleve.
➤ Ora 13:13 Pakistani mbyll shkollat dhe fluturimet me Iranin
Pakistani mbylli disa shkolla këtë të enjte dhe ndaloi të gjitha fluturimet për në Iran, për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri, pasi zyrtarët raportuan rastin e parë.
➤ Ora 13:00 Danimarka e Norvegjia verifikojnë rastet e para me Coronavirus
Agjencia e Shëndetit Publik në Norvegji ka konfirmuar se një person ka dalë pozitiv për coronavirus. Po ashtu edhe në Danimarkë, ministri i shëndetësisë konfirmoi se janë vendi i 15-të në Europë që verifikojnë një rast coronavirusi.
➤ Ora 12:45 Tre rusë të infektuar me coronavirus shtrohen Tatarstan
Tre rusë të infektuar me coronavirus në bordin e anijes “Diamond Princess” janë kthyer në Kazan, të republikës së Tatarstanit, dhe po marrin trajtim te spitali i kryeqytetit.
➤ Ora 12:40 Macron paralajmëron Francën, pritet epidemi
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të enjten më 27 shkurt se epidemia e coronavirusit ishte e pashmangshme në Francë, ndaj qeveria po merr masa për të luftuar epideminë që pritet.
➤ Ora 12:30 Izraeli ndalon hyrjen e personave jo-izraelitë nga Italia, pasi njëri rezulton i infektuar
Ministria e Shëndetësisë në Izrael ka njoftuar se një person i kthyer nga Italia ka rezultuar i infektuar me coronavirusin COVID-19. Autoritetet kanë ndaluar hyrjen e gjithë personave që vijnë nga Italia e që nuk janë izraelitë.
➤ Ora 12:18 Kina do të ndalojë vrasjen e kafshëve të egra. Numri i viktimave arrin 2744
Zyrtarët kinezë kanë njoftuar se ditën e martë kanë pasur 27 të vdekur në total, numri më i ulët që nga data 28 janar. Totali është 2744 persona. Ndërkohë, zyrtarët po planifikojnë të izolojnë tregjet ku shiten kafshë të egra, prej ku mendohet se ka dalë virusi.
➤ Ora 10:33 Itali, guvernatori i Lombardisë në karantinë
Guvernatori i rajonit të Lombardisë, epiqendra e përhapjes së virusit në vend, është detyruar të mbahet në izolim pasi ndihmësi i tij rezulton i infektuar me coronavirusin COVID-19.
➤ Ora 9:20 Kina pret ta vërë coronavirusin nën kontroll brenda prillit
Ekipi i shkencëtarëve kinezë parashikon se COVID-19 do të jetë vënë nën kontroll deri në fund të prillit: “Për sa kohë që antitrupat me imunoglobinë G janë të pranishëm, pacientët nuk do të infektohen më”.
➤ Ora 8:00 Për herë të parë, numri i të identifikuarve nëpër botë ishte më i madh se në Kinë
Kina ka raportuar 433 raste të reja koronavirusi, 29 vdekje të reja dhe 508 raste të dyshuara për 24 orët e fundit.
➤ Ora 7:45 334 Raste të reja në Korenë e Jugut brenda 24 orëve
Koreja e Jugut ka raportuar 334 raste të reja të pacientëve me coronavirus, numri më i madh që shtohet brenda 24 orësh, dhe 13 të vdekur.
➤ Ora 7:30, 27 Shkurt 2020, Arabia Saudite ndalon pelegrinazhin në Mekë
Si masë për të mos lejuar përhapjen e coronavirusit nëpër mbretëri, Arabia Saudite ka ndaluar udhëtimet te vendi më i rëndësishëm i besimtarëve të islamit.
➤ 26 Shkurt 2020 | Coronavirusi COVID-19 gjithnjë e më afër Shqipërisë
Të mërkurën e 26 shkurtit, coronavirusi vazhdoi të përhapet nëpër Europë duke e shtuar praninë edhe në Ballkan, gjithnjë e më afër Shqipërisë.
Në vendin tonë u kryen analizat për 13 qytetarë të dyshuar me COVID-19, dhe fatmirësisht të gjithë rezultuan negativë.
Greqia dhe Maqedonia e Veriut, dy fqinjët e vendit tonë, raportuan pacientët e parë të prekur me coronavirus. Edhe këtë herë, personat kishin udhëtuar në Itali, e cila është kthyer në një burim përhapjeje për shumë vende, deri në Brazil, ku u shënua viktima e parë për Amerikën Latine.
Në jug të Italisë, në Napoli, u vendos të mbyllen të gjitha shkollat për t’iu nënshtruar një pastrimi sanitar. Edhe në Austri, Tajlandë e Gjermani ka pasur shkolla të mbyllura e të dezinfektuara, ndërkohë që Franca raportoi viktimën e dytë.
Kina dhe Koreja e Jugut vazhdojnë me numrin më të lartë, ndërkohë që alarmet janë ngritur edhe në Afrikë e Lindjen e Mesme, ku ka pasur raportime në Irak, Kuvajt, Afganistan dhe Pakistan.
➤ 25 Shkurt 2020 | COVID-19 u përhap në katër shtete të reja europiane
Mëngjesi i 25 shkurtit nisi me lajme të hidhura për ekonominë botërore. Të gjitha bursat më të rëndësishme kanë pësuar humbje, për shkak se investuesit shohin më shumë siguri te floriri se te forma e tjera, ndërkohë që çmimi i naftës u ul për arsye të rënies së konsumit.
Veç kësaj, coronavirusi vazhdoi të përhapet në Europë. Zvicra, Kroacia, Austria dhe Spanja konfirmuan rastet e tyre të para këtë të martë. Një hotel në Tenerife të Spanjës u bllokua nga autoritetet, pasi një nga pushuesit rezultoi i prekur.
Në Kinë kanë vazhduar gjetjet e të sëmurëve të rinj me Coronavirus, mbi 1000 raste të reja. Po ashtu dhe vdekjet kanë qenë gati 100.
Ndërkohë që situata është bërë shqetësuese edhe në Iran, ku vetë zv/ministri i shëndetësisë rezultoi i infektuar.
Irani këmbëngul që numri i viktimave në vendin e tyre është 12, ndonëse agjenci më të pavarura të lajmeve kanë thënë që kanë qenë gati 50 të vdekur.
Në Turqi nuk është raportuar asnjë rast, por një avion i Turkish Airlines që po vinte nga Irani në drejtim të Stambollit është detyruar të ulet në Ankara, me kërkesë të ministrisë turke të shëndetësisë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën të shtojnë masat për herë të parë, ndërkohë që Bill Gejts bëri thirrje se Afrika do të ishte shumë më e rrezikuar nga përhapja e virusit, për shkak të kushteve të shëndetësisë.