Ish-ministri i Jashtëm dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Ditmir Bushati ka folur në studion e Ilva Now në Euronews Albania për zhvillimet e brendshme të partisë, paktin e madh për Evropën që duhet të arrijë politika si dhe për atë që ai e konsideron “largim nga objektivat strategjike” mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Z. Bushati theksoi se kur kanë kaluar më shumë se 30 vite nga rrëzimi i diktaturës dhe Shqipëria ndodhet ende larg anëtarësimit në BE, është i domosdoshëm një pakt për Evropën. Ai nuk nguroi t’i konsideronte me të njëjtin term që përdor dhe opozita, biznesmenët që përfitojnë pjesën më të madhe të tenderëve publikë.
“Vendet e anëtarësuara në BE, u janë dashur 8 deri në12 vjet nga aplikimi deri në anëtarësim, ndërsa ne jemi ende larg anëtarësimit. Pakti për Evropën parashikon institucione, administratën dhe linjat kryesore të ndërtimit të ekonomisë apo do të vazhdojmë me një grup biznesmenësh që edhe unë në raste të caktuara i konsideroj oligarkë që vërtiten rreth buxhetit. Po merrem me fenomenin nuk dua të merrem me emrat. Duam të ndërtojmë Shqipërinë për një gjeneratë tjetër. Ka ardhur momenti që të çlirojmë energji tjetër, sepse e kemi provuar kapitalizmin grabitqar, herë ne e herë ata”, tha ish-ministri socialist.
Duke folur nëse PS është e gatshme për shkëputja nga interesat e saj të ngushta dhe nivelin e demokracisë brenda PS, z. Bushati deklaroi se, kjo nuk mund të vijë menjëherë.
“Shkëputja nuk mund të ndodhi brenda një dite, por momenti kritik jo ka ardhur por ka kaluar. Alternativa jonë është sot për sot më e mirë se sa opozita, por kjo nuk mjafton kur shohim hendekun mes nesh dhe pjesës së Evropës që është pjesë e BE-së. Ndoshta nuk është përkufizimi i duhur, por një forcë politike ka gjithmonë për të përmirësuar, në përfaqësim në qeverisje por edhe në të gjitha shkallët.
Duke komentuar mbi nismën e “minishengenit”, ish-ministrin i Jashtëm e konsideroi iniciativë të mirë edhe nëse nuk sjell efekte por shërben për të ulur tensionin mes vendeve të rajonit. Por, z. Bushati u tregua i ashpër në cedimin e marrëdhënieve të Shqipërisë dhe Kosovës, duke iu referuar përplasjes mes dy Kryeministrave, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj. Për këtë, ai tha se, kemi të bëjmë me largim nga objektivi strategjikë, siç është bashkimi kombëtar.
“Përveçse vëllezër dhe motra, ne kemi një partneritet strategjikë me Kosovën, ajo marrëveshje i ka të gjitha fushat e bashkëpunimit dhe është momenti për instrumente të dobishme për thellimin e kësaj marrëveshje. Padia e Ramës ndaj Haradinajt tregon se ka një problem në marrëdhëniet tona dhe nuk besoj se ka njeri të lumtur nga niveli i shkëmbimit të replikave. Prandaj është e rëndësishme që ne shqiptarët duhet të bëhemi racional. Si shqiptarë, jemi larguar nga objektivat strategjikë. Jo thjeshtë bashkimi kombëtar, por dhe standardi i lartë në të dy vendet.
Sa i takon ligjit të medias apo siç njihet ndryshe “antishpifja”, Bushati nuk pranoi të deklaronte që tani votën kundër këtij projektligji, por tha se është shpejt dhe nisma ligjore mund të pësojë ndryshimet e nevojshme deri në miratim. Nga ana tjetër, tha se për ligjin duhej kërkuar ekspertizë ndërkombëtare.
“Ne ende nuk kemi ardhur në momentin final dhe do të ishte e padrejtë për të thënë fjalën e fundit. Qëndrimi im është se kjo është një fushë shumë e ndjeshme, BE, Këshilli Evropian dhe OSBE, kaë një ekspertizë të çmuar. Legjislacioni duhet bërë me grupin që prek, dhe në këtë rast flasim për gazetarët. Nuk do të ishte cedim në rast se do të ezauronim të gjitha shkallët e konsultimit ndërkombëtar pasi jemi dhe kryesues të OSBE-së dhe presim anëtarësim në BE”, u shpreh ai.