Shtetet perëndimore përkujtuan pesë vjetorin e vrasjes së liderit opozitar rus Boris Nemtsov duke i bërë thirrje autoriteteve që të hedhin dritë mbi përgjegjësin kryesor që fshihet pas këtij krimi.
Nemtsov, një ish deputet rus, guvernator dhe zv.-kryeministër, u qëllua për vdekje pranë Kremlinit më 27 shkurt të 2015-s.
55-vjeçari ishte kthyer në një figurën kyçe opozitare dhe ndër zërat kryesorë kundër presidentit Vladimir Putin. Në kohën e atentatit ai ishte duke punuar mbi një raport investigativ për përfshirjen e ushtrisë ruse në Ukrainë.
Mosndëshkimi për sulmet
Në mesin e personave që kryenin homazhet për të ndjerin kishte dhe diplomatë francezë, britanikë dhe amerikanë.
“Në pesë vjetorin e vrasjes së Boris Nemtsov, i bëjmë sërish thirrje autoriteteve ruse që të hetojnë ata që organizuan dhe dhanë urdhër për këtë krim makabër,” tha përmes një postimi në Twitter zëdhënësja e ambasadës amerikane në Moskë, Rebecca Loss.
On the 5th anniversary of Boris Nemtsov’s murder, we again call on Russian authorities to investigate those who organized and ordered this horrific crime. #BorisNemtsov remains an inspiration to all who strive for justice, democracy, and a government accountable to the people.
— Rebecca Ross (@USEmbRuPress) February 27, 2020
Britania tha përmes një deklarate: “I bëjmë thirrje Rusisë që të rinisë përpjekjet për të identifikuar personin ose personat që urdhëruan vrasjen e Boris Nemtsov pesë vite më parë”.
Torturat dhe një gjyq i padrejtë
Pesë persona janë dënuar me 11 deri 19 vite burgim për atentatin, por personi që ka urdhëruar vrasjen endet i lirë teksa hetimet kanë ngecur.
Sipas një raporti të OSBE-së të publikuar të enjten, pesë vite pas vrasjes, “nuk është konfirmuar ende motivi vrasjes”.
Përgjegjësia është e Putin
Vladimir Kara-Murza, një politikan i palës opozitare dhe drejtori i Fondacionit Boris Nemtsov tha për Euronees se “rreziqet janë kaq të vërteta e kaq të prekshme saqë ne jetojmë me to”.
Ai pretendon se i ka shpëtuar dy herë atentateve, një në maj të 2015-s dhe një në shkurt të 2017-s.
“Të dyja herët kam shkuar në spital me simptoma helmimi të rëndë, në koma të induktuar dhe me dështim të shumëfishtë të organeve”, tha ai.
Për të, Nemtsov ishte “absolutisht i pazëvendësueshëm për Rusinë dhe për politikën ruse” për shkak të aftësisë së tij për të komunikuar me njerëzit dhe për të bindur mijëra prej tyre që të dalin në rrugë.
“Përgjegjësia politike për vrasjen e Boris Nemtsov i takon autoriteteve ruse dhe personalisht presidentit të Rusisë, Vladimir Putin”, tha ai.