Palestina ka nisur përpjekjet diplomatike për të kundërshtuar Planin e Qaqes të hartuar nga administrata e presidentit Donald Trump. Presidenti, Mahmud Abaz do të mbajë një fjalim në Këshillin e Sigurimit dhe do të kërkojë miratimin e një rezolute kundër këtij plani.
Lajmin e ka bërë të ditur i dërguari palestinez në OKB, Rijad Mansur, i cili u tha gazetarëve se shpresonte që 15 anëtarët e Këshillit do të votojnë një projekt/rezolutë ndaj planit të publikuar nga presidenti Donald Trump ditën e martë.
Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara kanë të drejtën të vendosin veton ndaj një rezolute të tillë, por megjithatë drafti mund të shkojë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku një votim publik do të tregonte se si është pritur plani i Trump nga ndërkombëtarët.
“Ne do të bëjmë maksimumin me miqtë tanë për të pasur rezolutën me të fuqishme të mundshme dhe për të marrë votimin më të fortë të mundshëm në favor të saj. Natyrisht duam të shohim një opozitë të fortë ndaj planit të Trump dhe të reflektojmë gjuhën e konsensusit global”, është shprehur z. Riyad Mansour, ambasadori palestinez në OKB
Diplomati palestinez shtoi se, Presidenti do ta përdorë vizitën e tij në Nju Jork për të treguar para komunitetit ndërkombëtar reagimin e popullit dhe lidershipit palestinez ndaj këtij sulmi që po i bëhet të drejtave të tyre nga administrata e presidentit Trump.
Nga ana tjetër, misioni izraelit në OKB deklaroi se po përgatit një plan për t’i asgjësuar këto përpjekje të Palestinës dhe paralajmëroi se do të nisë një fushatë diplomatike bashkë me SHBA.