Plani për të izoluar tërësisht qytetin e Poliçanit nuk ka funksionuar. Tabela “stop” është hequr, së bashku me punonjësit e bashkisë. Identifikimi i rastit të parë me coronavirus pak ditë më parë, në këtë qytet ka frikësuar gjithë banorët.
“Pacienti ishte i sëmurë kronik. Është paraqitur disa herë me problemet e zëmrës dhe mushkërisë. Duke parë se gjendja e tij u rëndua, e transportuam në spitalin e Beratit dhe aty iu bë tamponi dhe personi rezultoi pozitiv”, tha mjeku Dritan Hoxha.
Në shëtitoren kryesore të qytetit, të vetmit që sheh janë punonjësit e bashkisë, dhe pensionistët. Këta të fundit duken më moskokëçarësit ndaj shtetrrethimit.
“Dua të rri në diell”, tha një pensionist.
Por, ka dhe nga ata të moshuar që nuk kanë dikë për t’iu shërbyer dhe detyrohen që të dalin jashtë për të bërë pazarin, apo për të shkuar në farmaci. Bashkia nga ana e saj, tregon se ka marrë masa për t’u ardhur në ndihmë gjithë qytetarëve në këtë situatë të vështirë, teksa nga këto ndihma përfitonte dhe i prekuri nga coronavirusi.
Leja për të dalë nga shtëpia, apo rregullat e tjera të vëna qeveria për situatën, në këtë qytet duken të huaja. Policia nuk e merr mundimin për të kontrolluar qytetarët, të cilët në shumicën e rasteve janë të moshuar.
Sipas kryetarit të bashkisë, Adriatik Zotaj, Poliçani është ndër qytetet më të rrezikuara nga coronavirus, pasi banorët, të cilët në pjesën më të madhe janë ish-punëtorë të Kombinatit të Armëve, vuajnë nga sëmundje kronike për shkak të punës në uzinë.
“Janë 800 familje që janë të rrezikuara, për shkak se janë të gjithë me sëmundje kronike. Me mushëkri të dëmtuara”, tha kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotaj.
Zotkaj paralajmëron se nëse do të jetë e nevojshme, bashkia do të aplikojë sërish postbllokun.
“Nëse në Poliçan, do përshkallëzohet dhe rastet do rriten, patjetër që, ashtu si do të marrë masa gjithë Shqipëria, do të marrim dhe ne.”, shtoi ai.
Aktualisht, Poliçani ka vetëm një rast të identifikuar, teksa të gjitha tamponët e marra për familjarët dhe mjekët kanë rezultuar negative.