Policia ka marrë masë administrative për gjithë personat që janë konstatuar në thyerje të shtetrrethimit. Që prej vënies në fuqi të aktit normativ nr. 3, e deri më sot, janë gjobitur 2570 këmbësorë, 2333 drejtues mjetesh, dhe 107 subjekte tregtare. Shifra totale e gjobave kap vlerën e 40 milionë lekëve, ndërsa shkelësit më të mëdhenj janë në kryeqytet.
Drejtori i Policisë Rrugore të Tiranës, Erjon Ahmetaj në një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania tha se qytetarët janë sensibilizuar, ndërsa shtoi se gjatë fundjavës janë konstatuar shumë pak raste që nuk kanë respektuar aktin normativ për ndalimin e qarkullimit në rrugë.
“Realiteti është që ka një disiplinim të qytetarëve gjatë kësaj fundjave, gjatë këtij kufizimi të fashës së orareve që prej të shtunës deri sot në orën 5. Ka pasur një disiplinim total në të gjitha akset rrugore brenda juridiksionit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës. Në dy ditët e fundjavës, e shtunë dhe e diel, janë të papërfillshme pasi kemi konstatuar 3 apo katër raste që nuk kanë respektuar aktin normativ me fashën e orarit. Ka një sensibilizim total, sidomos kjo fundjavë. Ajo që është problem është pjesa e grumbullimi i fashave të paradites, por nuk i përket kësaj fundjave. Kështu me kaq sa mesazhe janë dhënë ka një sensibilizim dhe për këtë jemi të kënaqur”, tha ai.
Shefi i Policisë Rrugore në kryeqytet theksoi se krahas gjobave, efektivët kanë bllokuar rreth 500 automjete pasi janë kapur duke lëvizur në rrugë pa asnjë autorizim nga strukturat përkatëse.
“Ato janë duke u gjykuar për të gjitha rastet që prej daljes së aktit normativ të datës 16 mars, vetëm Drejtoria e Policisë së Tiranës, flas për pjesën e Policisë Rrugore ka rreth 500 konstatime të tilla, për të cilat është bërë tërheqja e lejes së drejtimit dhe njëkohësisht bllokimi i mjetit. Por, hap pas hapi janë duke u gjykuar në organet administrative , nëpër komisione se si do të procedohet në vazhdim”, shtoi Ahmetaj,
Nj tjetër problem mbetet kontrolli dhe ruajtja e distancës fizike në punën e efektivëve të policisë. Sipas tij, Policia Rrugore, por edhe ajo e Policisë së Shtetit deri tani nuk ka pasur asnjë problem.
“Jemi përkrah shërbimeve, të gjithë jemi në terren. Të gjithë shërbimet kanë marrë instruksionet e duhura në lidhje me komunikim me distancën dhe me ajo që është më e rëndësishme, dhe më e prekshme është komunikimi përmes kontrollit të dokumentacionit. Tashmë që prej shpalljes së pandemisë në vendin tonë, shërbimi i policisë komunikon jo nëpërmjet marrjes së dokumentacionit në duar, por nëpërmjet të paraqitjes nga drejtuesi i mjetit dhe më pas verifikimi bëhet nga policia. Patjetër duke instruktuar, patjetër që duke pasur kujdes. Deri tani nuk kemi pasur probleme”, tha ai.