Ministri i Jashtëm i Gjermanisë ka dënuar sulmin “e neveritshëm dhe burracak” në zyrën e deputetit gjerman të lindur në Senegal.
Policia ka nisur hetimet pasi kanë evidentuar “vrima të shkaktuara prej plumbatve” në dritaren e zyrës së deputetit në Halle, 150 kilometra në jugperëndim të Berlinit.
Sipas raportimeve, nuk ka pasur persona të pranishëm në zyrën e Dr. Karamba Diaby, gjatë momentit të sulmit.
Dr. Diaby, deputet i Partisë Social Demokrate, ka postuar një foto nga vendngjarja në rrjetet sociale.
[twitter_feed=https://twitter.com/KarambaDiaby/status/1217446518954823682]
Policia e qytetit Halle, konfirmoi se kanë nisur një hetim penal dhe se një ekip i mjekësisë ligjore ka siguruar prova nga vendngjarja.
Oficerët kanë marrë raportime se “persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë disa ndërtesa”, duke përfshirë dhe zyrën e politikanit të Bundestagut.
Në një deklaratë thuhej: “Nuk mund të themi për momentin se çfarë e ka shkaktuar dëmin”.
“I neveritshëm dhe burracak”
Incidenti është dënuar gjerësisht në rrjetet sociale nga politikanë gjermanë dhe europianë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Heiko Mass, nëpërmjet një statusi në Twitter tha se ky krim ishte “i neveritshëm dhe burracak” dhe ka ofruar mbështetjen e tij për skuadrën e Dr. Diaby.
“Do të vazhdojmë të punojmë në krahun tuaj për një demokraci tolerante dhe të larmishme”, tha ai.
Rritja e krimeve të urrejtjes në Gjermani
Edhe pse policia nuk e ka konfirmuar ende se sulmi është duke u trajtuar si një krim me bazë urrejtjeje, incidenti ndodhi në një vend ku vetëm para tre muajsh humbën jetën dy persona në një sulm anti-semit në Halle.
Gjermania po përballet me një rritje të krimeve të urrejtjes, të cilat herë pas here kanë nën shënjestër politikanë dhe anëtarë të Bundestagut.
Zyra e Karamba Diaby, burri i parë me ngjyrë nga Afrika që zgjidhet në Bundestag, ka qenë dhe më parë pre e kërcënimeve dhe e sulmeve.
Pas sulmit në Halle në tetor, Gjermania shpalli se do të prezantonte masa të reja kundër ekstremizmit të së djathtës ekstreme dhe krimit të urrejtjes, duke përfshirë dhe kufizime në shitjet e armëve.
Por kjo deklaratë u përcoll me polemika, dhe vetë Diaby tha se Gjermania “nuk mund të shtrëngojë vetëm mbrojtjen kushtetuese, policinë dhe prokurorinë”.
“Ne duhet të forcojmë shoqërinë tonë” tha ai në Twitter.
[twitter_feed=https://twitter.com/KarambaDiaby/status/1189525097406701569]