Në periudhën e festave të fundvitit policia rrugore ka shtuar kontrollet e saj.
Për vetëm dy muaj në aksin problematik të unazës së madhe që lidhet me autostradën Tiranë-Elbasan, janë bllokuar mbi 500 patenta për drejtim të automjetit me shpejtësi.
Shefi i qarkullumit rrugor të Tiranës, Erjon Ahmeti thotë se aksi Tiranë-Elbasan është veçanërisht i rrezikshëm për shkak të sinjalistikës së përfunduar.
Vetëm gjatë orëve të mesnatës regjistrohen një numër i lartë drejtuesish të automjeteve të papërgjegjshëm, të cilët lëvizin me shpejtësi tej normave duke arritur deri në dyfishin e lejuar.
“Lëvizja me shpejtësi tej normave të lejuara është një rrezik jo vetëm për drejtuesin e mjetit por edhe përdoruesit e tjerë të rrugës ndaj vetëm për periudhën nëntor-dhjetor janë pezulluar mbi 500 leje drejtimi”, thotë z. Ahmeti.
Një problem tjetër kryesor dhe me pasoja vdekjeprurëse është edhe përdorimi i alkolit nga drejtuesit e mjeteve. Mesatarisht në kryeqytet 85 persona në muaj arrestohen të dehur në timon. Në ditët e fundvitit Komisariati i Tiranës bën thirrje për ndërgjegjësimin e drejtuesve.
“Nëpëmjet medias suaj dua të bëj dhe një apel për drejtuesit e mjeteve pasi edhe këto ditë festash policia rrugore do të vijojë me kontrollet sa i takon përdorimit të alkolit por edhe shpejtësisë duke marrë masat sipas akteve ligjore në fuqi”, ka shtuar shefi i qarkullimit.
Vetëm dhjetorin e vitit të kaluar janë shënuar 136 aksidente automjetesh në Shqipëri.