Policia e Tiranës ka arrestuar një 26-vjeçare pasi plagosi me thikë një 22-vjeçare pasditen e së hënës në Tiranë.
Përmes një njoftimi për mediat policia bëri me dije se u vu në pranga shtetasja K. C., 26 vjeçe, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Si dhe referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin në gjendje të lirë për shtetasen Xh. V., 24 vjeçe, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Kanosja” dhe “Dhunimi i banesës”.
“Më datë 20.01.2025, në orën 02:34 të mëngjesit, shtetaset E. V., 22 vjeçe, dhe Xh. V., 24 vjeçe, janë paraqitur në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 për kallëzim, për një konflikt që kishin pasur me disa shtetase të tjera në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Vorës, por nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi personat e përfshirë apo mjetet e përdorura. Shërbimet e Policisë i kanë informuar ato mbi mënyrën e trajtimit të rasteve të tilla dhe procedurat që duhen ndjekur. U është kërkuar të presin për marrjen e kallëzimit nga Oficeri i Policisë Gjyqësore, por shtetaset janë larguar nga Komisariati në orën 02:38, pa përfunduar procedurën e kallëzimit. Nga hetimet rezulton se, pas largimit nga Komisariati, shtetaset E. V. dhe Xh. V. (motra) dyshohet se kanë shkuar në banesën e shtetases K. C. dhe janë konfliktuar fizikisht. Gjatë këtij konflikti, shtetasja K. C. dyshohet se ka goditur me mjet prerës shtetasen E. V., e cila aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”, sqaroi policia.