Disa qindra gjyqtarë nga e gjithë Europa, të veshur me togën e zezë marshuan në Varshavë për të kundërshtuar projektligjin e qeverisë që ndëshkon gjyqtarët të cilët kritikojnë reformat e qeverisë.
Avokatë dhe qytetarë iu bashkuan protestës, duke argumentuar se legjislacioni i mbështetur nga qeveria e djathtë polake minon pavarësinë e gjyqësorit.
“Sot nuk do të ketë një manifestim me fjalime, parulla dhe brohoritje. Sot do të ketë një marshim të heshtur. Shpresoj që Polonia dhe Europa ta dëgjojnë heshtjen tonë”, tha Tomasz Marczynski, zv. President i Shoqatës Polake të Gjyqtarëve.
Ndërsa qeveria insiston se reforma do të frenojë korrupsionin, opozita thotë se partia në pushtet kërkon t’u mbyllë gojën gjyqtarëve.
“Nëse në një vend të caktuar gjyqtarëve u ndalohet zbatimi i vendimit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, atëherë nën sulm janë gjithë qytetarët europianë e jo vetëm ata polakë”, thotë Filipe Marques, president i Shoqatës Europiane të Magjistratëve.
Ligjvënësit polakë aprovuan muajin e kaluar propozimet që do të lejojnë sanksionimin e gjyqtarëve që kundërshtojnë reformat.
Disa mijëra banorë të Varshavës iu bashkuan protestës, duke ngritur flamujt e Polonisë dhe BE-së, teksa marshuan nga selia e Gjykatës Supreme tek Parlamenti.
Në një letër të publikuar të premten, komisioneri i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Dunja Mijatoviç i bëri thirrje Senatit polak që ta hedhë poshtë draftin.