English

Premier League, goleada londineze dhe befasi për Manchester City

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Fundjava e futbollit britanik ka dhuruar ndeshje spektakolare dhe me shumë gola, por edhe zhgënjime për dy prej skuadrave që luftojnë për titull apo për kupat evropiane.

- Advertisement -

Kampionët në fuqi të Liverpoolit siguruan fitoren e pestë në po kaq sfida të luajtura, teksa mposhtën me rezultatin 3-1 ekipin e Newcastle me dy gola të Mane dhe një të Salah. “The Reds” kryesojnë klasifikimin me 15 pikë të plota, një golavarazh “të frikshëm” dhe të shkëputur me 5 pikë nga ndjekësit më të afërt, Manchester City.

Të besuarit e Pep Guardiolës pësuan humbjen e parë sezonale, por disi të papritur përballë një kundërshtari modest si Norwich, që fitoi 3-2 sfidën e pasdites së të shtunës. Golat e Agueros dhe Rodrit nuk mjaftuan për “Citizens”, të cilët kishin pësuar dy herë në pjesën e parë dhe një tjetër gol gjatë 45-minutëshit të dytë. Guardiola gjithsesi nuk i kritikoi futbollistët e tij, por u mjaftua të thoshte në deklaratat për mediat se ata “nuk mund të fitojnë çdo ndeshje”.

Fitore të thella arritën dy prej skuadrave londineze, Tottenham dhe Chelsea, respektivisht 4-0 ndaj Crystal Palace dhe 2-5 me Wolves. Të dyja sfidat u mbyllën thuajse që në pjesët e para, duke mos e vënë asnjëherë në dyshim rezultatin përfundimtar. “Blutë” e Londrës dhe “Hotspurs” janë ngjitur në kuotën e 8 pikëve në klasifikim, po aq sa kanë edhe Manchester United, Leicester dhe Arsenali.

Chelsea duket se ka gjetur një “bomber” të ri dhe me perspektivë. Ai quhet Tammy Abraham dhe me 7 gola në 3 ndeshjet e fundit duket se ka hequr dyshimet e komentatorëve, që mendonin se pas 26 golave të shënuar për Aston Villën në Championship (kategoria e dytë) vjet, ai mund të mos ia dilte të ishte kaq produktiv edhe në elitën e futbollit britanik.

“Topçinjtë” nuk patën fatin e rivalëve të tjerë të kryeqytetit britanik, pasi u ndalën pasditen e së dielës në një barazim 2-2 nga Watford, në fushën e këtij të fundit. Edhe pse shënoi dy herë me Aubameyang në pjesën e parë, Arsenali nuk diti të ruante avantazhin dhe në fund u mjaftua me vetëm një pikë në këtë takim. Në fakt, ndeshja me Watfordin është futur në histori për “topçinjtë”, që lejuan kundërshtarin të godiste 31 herë në portën e tyre, hera e parë që prej vitit 2003 kur kanë nisur të mbahen këto statistika.

Manchester United fitoi minimalisht 1-0 përballë Leicester falë një 11-metërshi të realizuar nga Rashford pas vetëm 8 minutash lojë, por asgjë nuk ndryshoi deri në fundin e takimit. Pas ndeshjes, trajneri Ole Gunnar Solskjaer është shfaqur i kënaqur veçanërisht nga paraqitja e mbrojtësit McTominay, duke mos u shqetësuar për rezultatin e ngushtë të takimit.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Si e komentoni dënimin e Ervin Salianjit me 1 vit burg?