Një ditë përpara ceremonisë zyrtare të marrjes së drejtimit të Presidencës së OSBE, Deputetja e Partisë Socialiste, Elona Gjebrea në studion e Ilva Now, në Euronews Albania e cilësoi një vlerësim përzgjedhjen e Shqipërisë për të drejtuar një organizatë kaq të rëndësishme si OSBE, në përbërjen e të cilës janë 57 vende.
E pyetur nëse Shqipëria i ka kapacitet e nevojshme për të qenë në pararojë të një organizate që presupozohet të jetë ‘gardiani’ i zgjedhjeve të lira e të ndershme në një vend të caktuar kur ende në Shqipëri diskutohet për këtë gjë, znj. Gjebera shprehu bindjen se me gjithë problematikat, Shqipëria ka treguar se ka mundur të kapërceje shumë situata dhe se ka të gjithë personelin e duhur dhe të mirëtrajnuar për ta përballuar këtë sfidë.
“Tashmë ne kemi një task forcë, shumica e përbërë nga shqiptarë, por edhe të huaj, të gjithë profesionistë, Ministria e Jashtme ka kapacitete dhe jam i bindur që roli më i madh i takon zyrës sonë në Vjenë.
Çdo vend ka problematika, Shqipëria ka disa sfida të cilat janë të përfunduara, miratuam reformën në drejtësi. Kërkohet më shumë konsensus për reformën zgjedhore.
Kjo s’na pengon të kemi autoritetin për të drejtuar këtë organizatë. Shqipëria e ka marrë me meritë këtë përgjegjësi. Kryeministri do të ketë rolin kryesor në drejtim, edhe ministri në detyrë dhe gjithë stafi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme”, – tha znj. Gjebrea.