Presidenca kroate e Bashkimit Evropian do të përpiqet të gjejë një ekuilibër mes vendeve skeptike ndaj zgjerimit, Holandës, Danimarkës dhe Francës, dhe punës që duhet të bëjnë vendet aspirante, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, me shpresën për të arritur në një vendim pozitiv për dhënien e një date për çeljen e negociatave gjatë samitit të fund-marsit në Bruksel.
Gjatë prezantimit të përparësive para gazetarëve në Bruksel, ambasadorja Irena Andrassy, tha se Ballkani do të jetë fokusi i parë gjeografik në përparësitë e Presidencës Kroate.
E pyetur nga korrespondenti i Euronews Albania në lidhje me ndryshimin që do të sjellë Presidenca kroate në qasjen ndaj zgjerimit, znj. Andrassy u përgjigj se për këtë në fokus janë dy gjëra.
“Pra kemi dy gjëra, fillimisht nga niveli më i lartë politik ne do të përpiqemi të gjejmë një rrugëdalje apo një rrugë përpara nëse dëshironi, dhe të gjejmë një ekuilibër të mirë mes përforcimit të procesit dhe përmirësimit të tij, në termat e metodologjisë, dhe në të njëjtën kohë të dëshmohet zbatimi i kritereve gjatë gjithë kohës, por në një rrugë që ka dy anë”, deklaroi znj. Andrassy.
Ajo shtoi se do të vazhdojë t’u kërkojë vendeve të bëjnë pjesën e tyre dhe nëse vendet dorëzojnë rezultatet, atëherë duhet një vendim shumë i qartë dhe i menjëhershëm për hapat e ardhshëm nga ana e BE-së.
Sipas ambasadores, Presidenca kroate ka përvojën e mjaftueshme për të thënë se çfarë nevojitet që procesi i negociatave të jetë shumë efikas, duke përfshirë edhe paketën ekonomike që duan të shohin gjatë samitit të Ballkanit Perëndimor.
“Kjo është qasja jonë ndaj procesit dhe ne që sot, nga niveli më i lartë, fillojmë me vizitën e Kryeministrit në Paris, pra do të vijojmë që aty. Do të kemi këshillime shumë të ngushta me të gjithë partnerët në tryezë, por jam besimplotë se do të gjejmë një rrugë dhe se do të gjejmë ekuilibrin që t’i bëjë të gjithë të ndihen të sigurt, jo vetëm vendet e rajonit por edhe partnerët në tryezën e Këshillit, që ta ndjejnë që procesi është transformues dhe se reformat që duhen bërë aktualisht po bëhen, në mënyrë që të kenë besim se procesi po funksionon aktualisht për të gjitha palët” nënvizoi ambasadorja.
Znj. Andrassy sqaroi se vendimi i pritshëm gjatë samitit të marsit në Bruksel nuk do të jetë për çeljen e menjëhershme të negociatave por për caktimin e një date, me dallime mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut sipas kushteve të vëna.
Ndërsa samiti i Zagrebit, gjatë të cilit nuk merren vendime, mbahet për mbështetjen ekonomike dhe motivimin e Ballkanit për të vijuar rrugën e integrimit.