Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe ai i Këshillit të Europës Charles Michel, kanë firmosur marrëveshjen e Brexit të dakordësuar në tetor dhe të miratuar këtë javë nga Parlamenti Britanik.
Kjo hap rrugën që marrëveshja të ratifikohet nga Parlamenti Europian javën tjetër dhe për të siguruar që të gjitha pikat e marrëveshjes të zbatohen.
Hapat e ardhshëm
Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga Bashkimi Europian të premten e ardhshme, më 31 janar, duke sjellë fundin e 47 viteve si anëtare e BE.
Michel Barnier, negociatori kryesor i BE për Brexit, ishte gjithashtu i pranishëm në ceremoninë që u mbajt në zyrat qendrore të Komisionit në Bruksel.
Akordi do të dërgohet në Londër për tu firmosur nga kryeministri britanik Boris Johnson. Në Mbretërinë e Bashkuar, projektligji për tërheqjen nga BE u kthye në ligj pasi mori miratimin e mbretërisë të enjten.
Në të njëjtën ditë, Komisioni për Çështjet Kushtetuese të Parlamentit Europian sugjeroi miratimin e marrëveshjes, me anë të një mazhorance 23-3.
Europarlamentarët do të debatojnë dhe votojnë mbi marrëveshjen të mërkurën e ardhshme, 29 janar. Më pas, në ditën në vijim diplomatët e shteteve anëtare të Bashkimit Europian do të dorëzojnë një akord të shkruar, përpara se Mbretëria e Bashkuar të tërhiqet zyrtarisht nga BE, të premten në mesnatë.
Pas kësaj, Mbretëria e Bashkuar do të kalojë një fazë tranzicioni e cila do të zgjasë deri në fund të vitit, por marrëveshjet me BE do të vazhdojnë të jenë kryesisht të njëjtat.
Gjatë kësaj kohe të dy palët do të negociojnë për marrëdhënien e ardhshme midis tyre mbi tregtinë, sigurinë dhe ndarjen e të dhënave.
Mbretëria e Bashkuar ka përjashtuar zgjatjen e periudhës së tranzicionit, duke sjellë që shumë të hedhin dyshime nëse një marrëveshje gjithëpërfshirëse mund të arrihet në një kohë kaq të kufizuar.