Maqedonia e Veriut duhet të shpërblehet me një datë për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE pas marrëveshjes së arritur me Greqinë dhe Bullgarinë. Kështu u shpreh presidenti i KE, Charles Michel në konferencën që mbajti me presidentin e Maqedonisë, Stevo Pendarovski.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel në një konferencë me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dha mesazhe inkurajuese për integrimin në Bashkimin Evropian. Sipas tij, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e kanë vendin në BE.
“Vizita ime këtu pas disa vitesh kryesim me Këshillin Evropian ka për qëllim që te jepet mesazh dhe bindje se e ardhmja dhe fati i Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian. Do vazhdojmë me debatet dhe planet se si ta vijojmë zhvillimin tone. Reformat duhet të vazhdojnë”, ka deklaruar z. Michel.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski tha se prioritet i Maqedonisë së Veriut është integrimi dhe pritet miratimi i metodologjisë së re të zgjerimit.
“Ju falënderoj që prej fillimit të mandatit tuaj keni shprehur mbështetjen për nisjen e negociatave të shtetit tonë për anëtarësim. Vizita juaj e dëshmon se ju jeni një mbështetës i fortë i zgjerimit të BE-së. Anëtarësimi jonë i pa kusht në BE për ne është prioritet. Presim miratimin e metodologjisë së re gjatë muajit mars dhe lajme të mira për integrimin tonë Evropian”, është shprehur z. Pendarovski.
Presidenti i Këshillit Evropian u ka sugjeruar qeverive të shteteve evropiane, që të bien dakord mbi mënyrën si do veprojnë për zgjerimin, dhe kërkoi që për Maqedoninë e Veriut të caktohet datë për nisjen e negociatave pas marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen me Bullgarinë.