Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi për të mbrojtur veten dhe familjarët e tyre. Në një prononcim për mediat nga Katedralja Katolike e “Shën Palit” në Kryeqytet, kreu i shtetit tha se dhurimi i gjakut është shumë i rëndësishëm, sidomos në këto kohë.
“Nuk kemi nevojë për të bërë eksperimente, prandaj është mjaft e rëndësishme që të respektohen të gjithë udhëzimet e autoriteteve të shëndetit poublik, por edhe të gjithë kufizimet që janë vendosur, sepse ato janë në interes të të gjithëve dhe çdo qytetari. Nuk duhen konsideruar si një privim, por si një mbrojtje e domosdoshme”, tha Meta.
Sipas Kryqit të Kuq, përhapja e COVID-19 po sjellë pakësim të ndjeshëm të sasive të gjakut, si rrjedhojë e pakësimit të dhurimeve, ndërkohë që ka nevojë të vazhdueshme nga shumë persona.
Teksa iu përgjigj interesit të mediave, kreu i shtetit, Ilir Meta e la të hapur mundësinë e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ai theksoi se kjo situatë nuk mund të përballohet vetëm nga mjekët dhe infermierët, por se duhet një angazhim i të gjithë strukturave të shtetit.
“Do të ndodhë në kohën e duhur. Kjo situatë nuk mund të përballohet vetëm me doktorë, mjekë dhe me infermierë, por kërkon një angazhim të të gjithë strukturave shtetërore”, shtoi Meta.