Presidenti i Republikës, Ilir Meta këtë të shtunë doli në një tjetër konferencë për mediat për të sjellë prova të reja siç tha ai të mashtrimeve të Komisionit të Ligjeve dhe Kuvendit për ligjin mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë fjalës së tij, Kreu i Shtetit, Ilir Meta tha se institucionet që citohen nga Kuvendi nuk kanë dhënë opinion ose kanë kundërshtuar ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese.
Ai i quajti veprimet e Kuvendit të Republikës si veprime të marra, ndërsa shtoi se qëllimi kryesor i këtij skenari është “kapja prej fyti” e të gjithë institucioneve të shtetit shqiptar.
“Jam sot përsëri para jush për të paraqitur prova të reja të mashtrimeve skandaloze të Komisionit të Ligjeve dhe Kuvendit të Shqipërisë lidhur me konsultimet dhe mbështetjen që ka marrë për ligjin antikushtetues të pushtimit të Gjykatës Kushtetuese nga sekti kriminal që kontrollon institucionin e Kuvendit për fat të keq. Kuvendi në datë 12 shkurt 2020 ka miratuar ligjin për një shtesë në ligjin dhe organizmin e Gjykatës Kushtetuese duke ndërhyrë në mënyrë antikushtetuese për të ndryshuar formatin dhe procesin e betimit të gjyqtari kushtetues, që sipas nenit nr.129 të Kushtetutës duhet të bëhet para Presidentit të Republikës dhe askund tjetër. Jemi sot përsëri për të demaskuar falsifikime të tjera, të këtij Kuvendi që nuk ndalet në veprimet e tij të marra”, theksoi Meta.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta pohoi se Komisioni i Ligjeve në Kuvend në raportin zyrtar për Gjykatën Kushtetuese i ka përcjellë seancës plenare informacion qëllimisht të gënjeshtërt.
“Komisioni i Ligjeve në Kuvend në raportin zyrtar që i ka servirur publikut dhe seancës plenare rezulton se i ka përcjellë një informacion të qëllimshëm të gënjeshtërt duke përdorur si mekanizëm mbrojtjeje, përmenden në raportin e tij të dy nismave ligjore “ Ligjin për Gjykatën Kushtetuese” dhe “ Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, ndërkohë që shqyrtohen që shqyrtohej vetëm ligji për Gjykatën Kushtetuese. Kjo manovër mashtruese dhe e pacipë e këtij sekti kriminal që ka kapur prej fyti Kuvendin e Shqipërisë dhe të gjithë institucionet e shteti është kryer për të krijuar imazhin dhe përshtypjen e gënjeshtërt publike se edhe projektligji për ndryshimin në ligjin për Gjykatën është konsultuar duke marrë mendimin e institucioneve të marra më sipër”, shtoi Meta.
Fokusi i interesit mediatik ishte manifestimi i 2 marsit, sidomos pas reagimit të ambasadës amerikane, e cila i bënte thirrje qytetarëve të saj që të shmangnin këtë tubim. Presidenti Ilir Meta garantoi qytetarët se manifestimi i 2 marsit do jetë manifestim paqësor.
“Zero shqetësim. Zero frikë për manifestimin më paqësor, më demokratik, më gjithëpërfshirës dhe vetëm kuq e zi në dy mars për të realizuar një manifestim sa më të mrekullueshëm dhe mundësisht që të jetë manifestimi me sa më pak policë, që angazhohen në mbrojtje të institucioneve”, u shpreh ai.
Por, kreu i shtetit kishte edhe një reagim ndaj atyre që janë të alarmuar.
“Alert ka vetëm grupi puçist, nuk ka alert për askënd tjetër. kush e ndjen veten puçist është i alertuar. Pse është i alertuar?! Sepse është thirrur populli”, shtoi ai.
Kreu i shtetit shqiptar ka ftuar qytetarët në tubimin e 2 marsit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tubim ky që sipas tij do të godasë çdo tentativë që synon kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti, Ilir Meta, ka akuzuar kreun e KED-së, Ardian Dvorani për përvetësim të kompetencave në mënyrë të paligjshme sa i takon çështjeve të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Beteja e Presidentit Ilir Meta duket se nuk është përqendruar vetëm ndaj Ardian Dvoranit, të cilin e ka paditur në SPAK, por atë e ka vazhduar edhe me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonajn. Kreu i shtetit e akuzon Gjonajn për veprime antiligjore, të cilat sipas tij çojnë në grusht shteti, ndërsa atë së bashku me dy zyrtarë të tjerë të ministrisë së Drejtësisë i ka paditur në SPAK.
Në një intervistë me studiot qendrore të Euronews pak ditë më parë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, këmbënguli edhe një herë se në Shqipëri po vendoset një regjim njëpartiak me strukturë kriminale, që do të marrë nën kontroll të gjitha pushtetet, përfshi gjykatën kushtetuese dhe të drejtën e presidentit për të zgjedhur disa nga gjykatësit kushtetues, ndaj ai i ka bërë thirrje popullit që të dalë në rrugë e të mbrojë institucionet demokratike të vendit.