Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka depozituar personalisht në Prokurorinë e Posaçme, kallëzimin penal për ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe dy titullarë të tjerë të lartë të këtij dikasteri.
“Tashmë padia dhe kallëzimet penale për disa vepra shumë ta qarta, është dorëzuar për tre titullarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë me në krye zonjë ministre ende në detyrë. Ne po vlerësojmë ndërkohë prova të tjera që disponojmë dhe që po na vijnë dhe persona të tjerë të përfshirë, për të çuar deri në fund shpartallimi jo vetëm të kësaj tentative të grushtit të shtetit, por edhe të gjithë përpjekjet për të finalizuar grushtin e shtetit përmes rrëmbimit të ligjit antikushtetues”, shtoi Meta.
Presidenti Republikës, Ilir Meta tha se mbrojtja e Kushtetutës dhe e Gjykatës Kushtetuese duhet të kthehet sot në një mision parësor për çdo shqiptar patriot, i cili e do vendin e tij.
“Sepse mbrojtja e Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese është sot detyrë mbi detyrat për çdo shqiptar të ndershëm dhe patriot dhe në radhë të parë është kryedetyra dhe misioni i Presidentit të Republikës. Nuk ka ndodhur ngjarje më të rëndë në historinë e shtetit tonë se sa ky akt mafioz, ku së fundmi, në bazë të provave zyrtare rezulton e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe celula e strukturuar në krye të ministrisë së Drejtësisë, që përmes shkeljes së Kushtetutës, shkeljes dhe dhunimit të shumë ligjeve dhe përmes falsifikimeve, të mirëprovuara ka tentuar një grusht shteti duke rrëmbyer haptazi dhe në mënyrë mafioze një kompetencë që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ia jep vetëm Presidentit të Republikës me qëllim garantimin e një Gjykate Kushtetuese jo si garante e të drejtave Kushtetuese e qytetarëve shqiptarë, por si një polici antikushtetuese për të dhunuar të drejtat e qytetarëve shqiptarë në të ardhmen. Prandaj, këto prova, këto fakte tronditëse ishte e domosdoshme t’i sillte vetë Presidenti i Republikës së Shqipërisë”-tha Meta.
Duke folur për median, pas depozitim të kallëzimit, Presidenti deklaroi se, më dy mars do të dalë në “sheshin e betejës” për shkeljen e Kushtetutës.
“Nuk ka ndodhur në asnjë vend të Evropës që të shkelet kushtetuta në këtë mënyrë. Më dy mars, të gjithë kundër murtajës së rilindjes”, u shpreh z. Meta. Në mbështetje të këtij tubimi që do të mbahet rreth orës 17:00, ka dalë dhe Partia Demokratike.