Presidenti, Ilir Meta ka përshëndetur planin financiar të qeverisë për situatën e krijuar nga COVID-19. Ndërsa bën thirrje që të përcaktohen kriteret e ndihmës për biznesin dhe familjet në nevojë, z. Meta ka pranuar përgjysmimin e pagës dhe uljen e buxhetit për Presidencën.
“Përshëndes mbështetjen financiare të bërë publike nga Kryeministri. Ftoj Qeverinë të përcaktojë sa më parë kriteret e ndihmës për biznesin dhe familjet më në nevojë. Inkurajoj gjithashtu konsultimin me grupet e interesit për të bërë transparente detajimin e fondeve, për t’u dhënë përgjigje të menjëhershme nevojave emergjente të qytetarëve.
Sa i përket trajtimit financiar të Presidentit të Republikës, ai do të shkurtohet në të njëjtën mënyrë, si dhe për zyrtarët e lartë të shtetit, të parashikuar në planin e bërë publik.
Po kështu Institucioni i Presidentit të Republikës është solidarizuar me shkurtimin e fondit të buxhetit vjetor në interes të riadresimit të tyre, në mbështetje të shëndetësisë dhe sektorëve të vijës së parë në këtë përballje me pandeminë globale të COVID-19”, shprehet Meta.
Në deklaratën e mbajtur nga Kryeministri, Edi Rama ai tha se në kategoritë e përgjysmimit të pagave për zyrtrë të lartë përjashtonte Presidentin për të mos krijuar keqkuptime. “Nuk duam të krijojmë asnjë keqkuptim, duke përgjysmuar pagën e Presidentit të Republikës, të cilit haka e do që t’i bëj një falenderim publik, për faktin se qyshse kemi hyrë në këtë luftë, po ndihmon si e sa mundet, apo pagat e drejtuesve të lartë të institucioneve të pavarura. Në këtë fazë është në dorën e tyre ta bëjnë ose jo të njëjtën gjë”, deklaroi z. Rama gjatë prezantimit të planit financiar.