English

Presidenti Meta: Qeveria favorizoi fshehurazi oligarkët me qindra milionë euro

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Një ditë përpara tubimit të thirrur nga presidenti, kreu i shtetit Ilir Meta doli në deklaratën e radhës për shtyp ku dha fakte të reja, lidhur me atë që ai e konsideron grusht shteti nga mazhoranca.

- Advertisement -

Denoncimi i presidentit Meta iu adresua veçanërisht sipërmarrësve vendas, ku sipas tij qeveria ka kryer një krim të tmerrshëm kushtetues. Presidenti vazhdoi t’i drejtonte akuzat e tij duke përdorur përshkrimin ‘sekt mafioz’ që drejton qeverinë.

“Ligji për dividentin është rasti më flagrant sesi kuvendi i kapur si një organizatë mafioze, bashkë me qeverinë dhe këtë mazhorancë ka dhunuar hapur kushtetutën e republikës së Shqipërisë. Ju premtoi se shumë shpejt do të japin llogari para popullit shqiptar dhe drejtësisë së re që do të vijë.

Më 3 dhjetor 2018 u miratuan disa ndryshime në ligji “Për tatimin mbi të ardhurat,” të ndryshuar, ku në nenin 9 u parashikua një dispozitë e fshehur,” tha presidenti Meta, i cili argumentoi se ndryshimet janë kryer vetëm për të favorizuar një grusht oligarkësh që pasurohen në kurriz të gjithë popullit shqiptar.

Neni 9 i ligjit të lartpërmendur parashikon se “Norma e tatimit mbi dividentin në shkallën 8% do të aplikohet edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 dhe më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara me kusht që tatimi mbi dividentin që i përket fitimeve të pashpërndara të vitit 2017 dhe më parë të paguhet brenda datës 30 shtator 2019, ndërsa tatimi mbi dividentin e vitit 2018 paguhet brenda datës 20 gusht 2019”.

Meta tha se ligjet nuk mund të kenë fuqi prapavepruese dhe se miratimi i ligjeve që i sjellin përfitim vetëm një shtrese të caktuar cënon barazinë para ligjit të parashikuar nga kushtetuta.

Sipas presidentit ky ndryshim ligjor e uli tatimi mbi dividentin nga 15% në 8% me efekt prapaveprues nga 2018 dhe më parë.

“Ky është krim i tmerrshëm kushtetues, goditje pas shpine për bizneset e ndershme shqiptare dhe të huaja që kanë paguar tatim fitim në vlerë 15%, ndërkohë që me hyrjen në fuqi të nenit 9 të ligjit të ndryshuar, oligarkët e qeverisë dhe të gjithë ata që kanë paguar nën dorë qeverinë dhe “deledeputetët” që votuan këtë dhunim të kushtetutës do të favorizoheshin nga ky lehtësim fiskal,” deklaroi presidenti.

“Majmi më shumë dhe në mënyrë të padrejtë shtresën e vogël dhe më të pasur të shoqërisë, duke varfëruar qytetarët e thjeshtë dhe bizneset e ndershme,” shtoi ai.

Kreu i shtetit tha se e ktheu në kuvend ligjin më 20 dhjetor 2018, por se procedurat për kalimin e tij vazhduan në fshehtësi, pa dijeninë e institucionit që ai drejton dhe as të opozitës që në atë kohë ishte pjesë e parlamentit.

“Komisioni i ekonomisë dhe financave shqyrtoi në mënyrë të fshehtë dhe të pabesë dekretin e presidentit dhe për herë të parë në histori pa e thirrur institucionin e presidentit për të dhënë arsyet. Po atë ditë e miratuan fshehurazi duke rrezuar dekretin,” shpjegoi presidenti.

Meta e quajti ndryshimin ligjor krim të tmerrshëm që i kushtoi buxhetit të shtetit qindra milionë euro dhe tha se do të dërgojë në ditët në vijim një kallëzim në Strukturën e Posaçme kundë Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK për ta hetuar atë dhe përgjegjësit e saj.

Presidenti e mbylli konferencën për shtyp duke u bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen në tubimin e orës 17:00 ditën e hënë për ta shpëtuar atdheun nga kriza e thellë dhe më e rrezikshme kushtetuese.

Tensione

Marrëdhëniet qeveri-president kanë përjetuar tensione të shumëta muajt e fundit, që pas dekretit të presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, që Partia Socialiste vendosi t’i çonte përpara pa pjesëmarrjen e forcës kryesore opozitare.

Deputetët socialistë kanë nisur një komision hetimor që synon shkarkimin e presidentit Meta, ndërkohë që ndryshimet kushtetuese për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese i hodhën edhe më shumë benzinë zjarrit. Meta akuzon qeverinë se ka shkelur rëndë kushtetutën, ndërsa qeveria e konsideron atë një kundërshtar të reformës në drejtësi.

Në një intervistë javën e shkuar në Ilva Now në Euronews Albania, kreu i grupit parlamentar socialist, z. Taulant Balla tha se veprimet e presidentit Meta tregonin se ai po bëhej gati të linte pas detyrën e tij si president dhe po përgatitej për t’u bërë lider i opozitës. 

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?