Presidenti i SHBA, Donald Trump deklaroi se do të depozitojë një padi për shpifje ndaj “New York Times”, nën akuzën e publikimit të qëllimshëm të një opinioni që sugjeronte se Rusia dhe stafi elektoral i presidentit kishin arritur një marrëveshje për zgjedhjet e 2016-s.
Në një përshkallëzim të betejës së gjatë të presidentit me gazetën prestigjioze, stafi i tij saktësoi se padia po depozitohej në gjykatën shtetërore të Nju Jorkut. Ndërkaq, i pyetur mbi padinë në konferencën për shtyp të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se “New York Times” ka bërë shumë gabime në vitet e fundit.
“Kur e bën opinionin tërësisht gabim, sikurse e bëri “New York Times” që ka bërë dhe shumë gabime të tjera në vitet e fundit, atëherë çështja duhet të kalojë në gjykatë. Nëse e shihni, ai artikull shkon përtej një opinioni. Nuk është një opinion. Është më shumë se aq. Ata kanë bërë një gjë shumë të keqe dhe të tjera gjëra do të vijnë”, ka deklaruar z. Trump.
Ndërsa në një deklaratë të stafit elektoral thuhet se qëllimi i padisë ndaj “NYT” është ta mbajë gazetën përgjegjëse për publikim të qëllimshëm të deklaratave të rreme kundër fushatës së presidentit Trump. Padia lidhet me një opinion të 27 marsit 2019 i shkruar nga Maks Frenkëll, që ka shërbyer si kryeredaktor i gazetës nga viti 1986 në 1994.