Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka konfirmuar se kompanitë amerikane të industrive të ndryshme kanë rënë dakord për të prodhuar pajisje mjekësore, duke filluar nga maskat e posaçme N95 e deri te ventilatorët, për të ndihmuar vendin në betejën kundër COVID-19.
Kompania e automobilave, Heynes, do të kalojë nga prodhimi i pjesëve të makinave në prodhimin e maskave për t’i ardhur në ndihmë instancave mjekësore, gjithashtu dhe kompani të tjera distiluese kanë deklaruar se do të nisin prodhimin e dezinfektuesve për duart.
Deri më tani, Shtetet e Bashkuara kanë mbi 22, 177 raste të konfirmuara, ndërsa shtetet më të prekura janë Nju Jorku me 10, 356 raste, Uashingtoni me 1,524 dhe Kalifornia me 1,268.
Presidenti Trump ka theksuar se kompani të industrive të ndryshme amerikane kanë pezulluar aktivitetet e tjera dhe tashmë janë të përqendruara vetëm në prodhimin e pajisjeve të nevojshme mjekësore.
SHBA është ndër shtetet e fundit që kanë marrë masa në luftën kundër COVID-19 dhe po përballen me një mungesë pajisjesh për shkak të vrullit të përhapjes së virusit.
President @realDonaldTrump: “Governors, mayors, businesses, charities, and citizens are all working with urgency and speed toward one common goal, which is saving American lives.” pic.twitter.com/YPYmNq0ZWc
— The White House (@WhiteHouse) March 21, 2020
Presidenti Trump e ka cilësuar situatën si të “paprecedentë”, por ka shprehur mirënjohjen ndaj popullit të tij duke thënë se “kanë qenë më të bashkuar se kurrë”.
Kjo është gjithashtu hera e parë që një president në Shtetet e Bashkuara miraton “deklaratën e katastrofës” e cila është deklaruar për shtetin e Nju Jorkut i cili është edhe shteti i dytë më i prekur në SHBA me 56 viktima, ndërsa Uashingtoni numëron 86 viktima.
Ky urdhër i hap rrugën ndihmave federale për shtetin si dhe mbështetje për qytetarët e prekur.
Trump deklaroi se ka biseduar vazhdimisht me bizneset e vogla, të cilat i ka cilësuar si “makineria prodhuese e vendit” dhe tha se i ka siguruar që administrata e tij po bën çdo gjë që është e mundur që t’i lehtësojë barrën për ta dhe punonjësit e tyre.
Një lajm i mirë ka ardhur dhe për studentët pasi presidenti deklaroi se do të pezullojë pagesën e interesave për huatë studentore për të paktën 60 ditë.
Presidenti Trump e ka cilësuar virusin si “një armik të padukshëm”, por në të njëjtën kohë u shpreh se ka bindjen se SHBA do ia dalë ta shfarosë atë “shumë më shpejt nga sa mendojnë njerëzit”.
“Qëndroni në shtëpi me të personat e dashur dhe mbroni dhe fqinjët. Ju falënderoj për përgjigjen tuaj, është shumë speciale, nuk do ta harrojmë kurrë, as librat e historisë”.
Testimet
Në kundërshtim me deklaratën e bërë nga drejtori i Përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, presidenti Trump tha se do të testohen vetëm personat që janë më të rrezikuar.
“Nëse nuk keni simptoma, mos e bëni testin në mënyrë që t’i ruajmë ato për punonjësit mjekësor të cilët janë më të ekspozuar”, por konfirmoi se kjo dot të jetë vetëm një periudhë tranzicioni drejt një shkallë më të gjerë testimi në të ardhmen e afërt, ku përmendi dhe mundësinë e krijimit të testeve që do të mund të bëhen vetë nga shtëpia.