Një tunel dezinfektues është vendosur në hyrje të oborrit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, në Prishtinë, i cili do të jetë në shërbim të qytetarëve me simptoma të COVID-19 që shkojnë për t’u kontrolluar në tendën e vendosur në oborrin e kësaj qendre mjekësore.
“Këtë e kemi vendosur këtu, sepse mendojmë që në Prishtinë koncentrimi më i madh i njerëzve të cilët mendohen që e kanë COVID është në këtë pjesë. Kërkojmë prej secilit qytetar para se të hyjë në tendë, që të dezinfektohet, po ashtu pas daljes të ketë dezinfektim”, tha Shpend Ahmeti.
I pari i kryeqytetit shtoi se tuneli është punuar në bashkëpunim me një kompani vendore dhe funksionon me një të shtypur të butonit – me një kohë të caktuar dezinfektimi prej 10 sekondash.
“Ajo çka është interesant është se kjo është bërë në bashkëpunim me kompani vendore, kompaninë ‘Te Pema’, është produkt komplet kosovar, të cilin me shtypje, do ta kemi dezinfektuesin i cili me një shtypje të butonit lëshohet brenda dhjetë sekondave, në mënyrë që të mos shpenzohet gjithë kohën dezinfektuesi, por vetëm kur kalon dikush në tunel”, theksoi kryetari i Prishtinës.
Ai njoftoi se të premten komuna e Prishtinës do të prezantojë masa të reja në aspektin ekonomik.
Ndërkohë, kërkoi nga homologët e tij nga komunat e tjera të koordinohen me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me kufizimin e lëvizjes edhe pas 12 Prillit, kur, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, shfuqizohet vendimi i qeverisë lidhur me kufizimin e lëvizjes.