Legjenda braziliane e futbollit, Edson Arantes do Nascimento, i njohur si Pele po kalon një periudhë jo shumë të mirë për shkak të problemeve shëndetësore.
Ish-lojtari i përfaqësueses së Seleçaos, mesa duket nuk mund të lëvizë normalisht.
Lajmin e ka konfirmuar djali i tij, Edinho, me anë të një deklaratë të bërë publike së fundmi për mediat.
“Ai nuk ecën dot normalisht pa pasur dikë që ta ndihmojë. Kohët e fundit ka qenë pak më mirë, por sërish ka probleme”, është shprehur i biri i legjendës së futbollit.
Ndër të tjera ai ka shtuar se ish-lojtari i Seleçaos nuk ka dëshirë ta ndajë me publikun problemin që po e shoqëron prej kohësh.
“Nuk dëshiron që të dalë nga shtëpia dhe të shihet në publik apo të bëjë çfarëdolloj gjëje që lidhet me largimin e tij nga shtëpia”, ka shtuar Edinho, djali i Pele.
Në tetorin e 2021, Edson Arantes do Nascimento (Pele), do të festojë 80-vjetorin e lindjes. Ai do të kujtohet gjatë nga dashamirësit e futbollit për shkak të golave të jashtëzakonshëm dhe spektaklit që ka dhënë në fushën e blertë.
Pele konsiderohet si një ndër futbollistët më të mirë të historisë së futbollit dhe lojtari i vetëm i cili ka arritur të fitojë tri herë kupën e botës me përfaqësuesen e Brazilit.
Ai ka lindur më 23 tetor të vitit 1940 në Minas Gerais, Brazil. Pele është vlerësuar shpesh herë edhe si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave.
Në Brazil, Pele është konsideruar si hero kombëtar për shkak të arritjeve të tij të larta në futboll, madje është shpallur ambasador zyrtar botëror i FIFA-s dhe thesar kombëtar nga qeveria braziliane.