Riatdhesimi i pesë shqiptarëve nga Siria në Shqipëri ka qenë lajmi kryesor sot pothuajse në të gjithë mediat shqiptare. Katër fëmijë dhe një grua e plagosur patën fatin falë përpjekjeve të forcave të Antiterrorit shqiptar, që të lënë kampin e “Al Hol” dhe të niseshin drejt Shqipërisë.
Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati u shpreh se ky ka qenë një aksion tepër i vështirë. Ai pohoi se krahas pesë shqiptarëve është bërë e mundur që të nxirren nga kampi Al-Hol edhe 15 shqiptarë të tjerë, të cilët më pas janë zhvendosur në një kamp tjetër, i cili sipas tij është më i sigurt për jetën e tyre.
“Ka qenë një operacion i vështirë dhe ka pasur disa tratativa nga forcat e Anti-terrorit. Forcat speciale që e shoqërojnë zyrtarët e Anti-terrorit Shqiptar janë Forcat Kurde Speciale, pasi ata kanë tagër atje në Siri. Krahas katër fëmijëve, bëhet fjalë për 15 shtetas të tjerë që janë nxjerrë nga kampin Al-Hol dhe janë dërguar në një kamp tjetër më të sigurt”, tha gazetari Ferhati.
Euronews Albania ka siguruar një video ekskluzive, ku në të shikohen forcat e të Anti-terrorit Shqiptar duke kryer kontrollet e fundit në kamp. Në pamje shfaqet edhe një simbol i flamurit të ISIS-it, që është i vendosur në një depozitë uji. Ky simbol duket se vijon të përdoret gjerësisht nga ana e personave të radikalizuar, të cilët ushtrojnë presion dhe mbajnë nën kontroll banorët në kamp.
Gjatë një interviste për emisionin “Ilva Now” në Euronews Albania, daja i djalit të riatdhesuar Endri Dumanit, Gjetan Ndregjoni, tregoi çastet e para kur e takoi nipin në pikën kufitare të Rinasit. Ai iu drejtua me një apel të drejtpërdrejtë edhe mbesës së tij Eva Dumanit, e cila ndodhet ende në “kampin e ferrit” në Siri.
“Janë emocione të veçanta. Unë u ndjeva i gëzuar me thënë të drejtën, por të kishte ardhur edhe Eva do të ishte një lumturi e paparë për ne. Do të ishte një rilindje për ata dy fëmijë. Ma do mendja ka qenë në presion i njerëzve të brendshëm aty. Të pret mami dhe vëllait, të presin dajat dhe xhaxhallarët. Mos iu tremb asnjë ushtari që vjen dhe të kërkon dhe të kthehesh pranë familjes. Tani Endri është në qendrën sociale nën trajtimin e psikologëve edhe mjekëve. Ishte një kohë shumë e shkurtër, dhe nuk patëm kohë të qendronim me të.”, tha ai.
Intervista e plotë:
Lexoni gjithashtu:
Riatdhesohen pesë shqiptarët e parë nga Siria, gëzim dhe lot në pikën kufitare të Rinasit
Gazetari Eni Ferhati flet me emra konkretë: Shqiptaret, që nuk pranuan të kthehen nga Siria
Pesë të shpëtuarit e parë nga Siria mbërrijnë në Tiranë, Rama: Operacioni vazhdon
Të bllokuar në kampet siriane, gjyshërit kërkojnë mes lotësh kthimin e 5 fëmijëve të mbetur jetimë