Në një intervistë për Euronews Albania me gazetaren Ilva Tare, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu siguroi se Shqipëria do të ketë akses të barabartë me vendet e tjera për marrjen e mbi 1 milionë dozave të vaksinës anti-Covid në momentin që ajo do të hidhet në treg.
Gazetarja Ilva Tare e pyeti konkretisht ministren se sa shanse ka Shqipëria për të marrë vaksinën pas lajmit se Pfizer/BioNTech kishte arritur sukses me 90% rezultate ndaj Covid-19 në zhvillimet e një vaksine.
“Pfizer/BioNTech është një prej kompanive që edhe instrumenti i COVAX-it, pra aleanca Gavi, për të cilin qeveria shqiptare ka marrë vendim për të parapaguar 1 milionë e 130 mijë doza vaksine, është pjesë e kompanive që financohen pra nga kjo aleancë dhe sigurisht duke qenë pjesë… jemi pjesë e aksesit në vaksinën e sigurt në momentin që ajo do të jetë në treg,” – u shpreh ministrja Manastirliu.
“Aleanca Gavi, ku ne bëjmë pjesë bashkë me dhjetëra shtete të tjera, siguron aksesin te vaksina e sigurt në momentin që ajo do jetë në treg dhe është një akses i barabartë për të gjithë,” – siguroi ministrja e Shëndetësisë.
“Ne do të kemi akses te vaksina sepse qeveria ka financuar dhe parapaguar, duke qenë se parapagon për vaksinën dhe më pas siguron edhe për vazhdueshmërinë e financimit, patjetër që dhe ne do të jemi ndër vendet që do ta aksesojmë,” – shtoi më tej ministrja.
Gjatë intervistës për Euronews Albania, ministrja Manastirliu tha se do të veprohet përmes mekanizmit të siguruar nga Bashkimi Evropian edhe me sigurimin e kiteve për testet e shpejta.
Ajo tha se përmes mekanizmave të tillë deri më sot janë siguruar edhe barna trajtuese ndaj infeksionit të COVID-19, siç është ilaçi remdesivir.
Ndiqni intervistën e plotë:
Lexoni gjithashtu:
Subvencioni i trajtimit të COVID-19, Manastirliu: Shumë shpejt do marrim vendim
A po shkojmë drejt karantinës? Ministrja Manstirliu: Po përballemi me një virus të rrezikshëm